SHBA, tre persona do të kopjonin Xhokerin
Policia në SHBA ka arrestuar tre persona, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në “riprodhimin” e skemës tragjike të premierës së “Batmanit” në Aurora, Kolorado, kur një i ri i armatosur qëlloi spektatorët për 30 minuta, duke vrarë 12 veta e duke plagosur 58 të tjerë. Tre persona janë arrestuar për kërcënime apo plane të reja të “Xhokerit”, në tri raste të ndryshme. Një burrë në Maine u ndalua të dielën, e më pasi u tha autoriteteve se donte të vriste ish-shefin e tij. I dyshuari Timoti Kourtis tha se e kishte parë të shtunën filmin, por policia nuk arriti ta vërtetojë deklaratën e tij. Kourtis fillimisht u ndalua për tejkalim shpejtësie, por policia gjeti në makinën e tij një Ak-47, katër pistoleta, municione dhe pjesë të prera gazetash që shkruanin për masakrën në kinemanë e Auroras. Në shtëpinë e të dyshuarit policia gjeti më pas një mitraloz, disa lloje të tjera armësh dhe mijëra municione. Ndërsa në jug të Kalifornisë, një 52-vjeçar u arrestua pasi u ankua për vonesën e transmetimit të filmit, duke bërtitur në kinema: “Duhet të sillem si ai në Kolorado. A ka ndonjëri pistoletë me vete?”. Klark Tabor kishte një çantë shpine, por ajo nuk kishte materiale të rrezikshme brenda. Në rastin e tretë në Arizona, rreth 50 spektatorë u larguan në panik nga kinemaja për shkak të sjelljes së një njeriu, i cili rezultoi më pas të ishte i dehur. Ai mbante një çantë shpine përpara gjunjëve. Brenda saj policia ka gjetur një shishe alkooli bosh dhe një tjetër gjysmë të boshatisur. Uilliam Borboa, 27 vjeç, u arrestua për ngacmim dhe kërcënim.