E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti kosovar pret ministrin shqiptar të Mbrojtjes

Në takim Sejdiu i shprehu ministrit Imami edhe një herë falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për ndihmën e pakursyer që Republika e Shqipërisë i ka dhënë në të gjitha fushat shtetit më të ri të Evropës.

Presidenti kosovar e ka quajtur si shumë të rëndësishme përkrahjen e Shqipërisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si një forcë që po ndërtohet sipas parimeve më moderne, e gatshme për të kryer të gjitha detyrat.

Në këtë kontekst, presidenti Sejdiu ka përsëritur edhe një herë qëndrimin që FSK-ja të marrë pjesë në operacionet e ndryshme jashtë vendit, duke përmendur në këtë rast angazhimin e pjesëtarëve të kësaj force në ndihmë rajoneve të përmbytura në Shqipërinë e veriut muajin e kaluar.

Ndërkohë, ministri Imami ka shprehur edhe një herë falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për ndihmën e ofruar me rastin e përmbytjeve nga uji në rajonin e Shkodrës, si dhe ka çmuar shumë lart profesionalizmin e pjesëtarëve të FSK-së që morën pjesë në operacionet e shpëtimit në rajonet e përmbytura.

Ai gjithashtu shprehu përkushtimin e institucioneve të Shqipërisë për ta ndihmuar këtë forcë, për çka do të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›