E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leterme: Mbështetje të fuqishme Shqipërisë për në BE

Gjatë konferencës për shtyp pak momente më parë, Letermen theksoi se Mbretëria e Belgjikës jep mbështetjen e plotë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si dhe veçanërisht për procesin e liberalizimit të vizave.

“Për sa i përket vizave, e informova Berishën se BE-ja ka prioritet liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Unë e përgëzova kryeministrin Berisha për progresin që është bërë për këtë proces”, tha kryeministri belg në konferencën për shtyp. Megjithatë, ai ka nënvizuarse duhet një angazhim më i madh nga pala shqiptare për të plotësuar të gjitha procedurat që kanë të bëjmë me këtë proces, për të shtuar se ky është një proces më shumë teknik se sa politik.

“Unë mendoj se qytetarët shqiptarë e meritojnë të lëvizin lirshëm si të gjithë qytetarët e tjerë të BE-së”, tha Leterme. Kryeministri i Belgjikës tha gjithashtu, se vendi i tij do ta ndihmojë Shqipërinë me ekspertizë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Dua të nënvizoj në emër të Mbretërisë së Belgjikës, se ne jemi të angazhuar për një të ardhme të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Mendoj se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një faktor kyç për stabilitetin e Ballkanit. Gjithashtu është në interesin e qytetarëve shqiptarë dhe të Bashkimit Evropian. Ndaj diskutuam sot për opinionin e BE-së, për sa i takon anëtarësimit të Shqipërisë në strukturat e këtij unioni. Unë i premtova kryeministrin Berisha se Belgjika do të ndihmojë me ekspertizë Shqipërinë për pyetësorin që duhet për anëtarësim në BE”, u shpreh Leterme.

Ndërsa kryeministri Berisha tha se kishte diskutuar me homologun belg për një sërë fushash bashkëpunimi, duke përmendur këtu marrëveshje kundër krimit të organizuar, marrëveshje për të burgosurit, etj. “Jemi të gatshëm të firmosin çdo marrëveshje me Belgjikën në interes të luftës kundër krimit të organizuar. Po punohet edhe në fushën e sigurimeve shoqërore. Shpresoj që së shpejti do të përfundoj edhe një marrëveshje në fushën e arsimit”, theksoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›