E Diel, 1 Nëntor 2026

“Presidenti”, mbyllet pa rezultat edhe raundi i dytë – mundësia e vetme për konsensus në raundin e tretë

04-06-2012 / Gazeta 55

Kuvendi vendos të enjten për seancën e radhës, e fundit për konsensusin, të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Nëse dialogu mazhoranca – opozitë s’do prodhojë një kandidaturë konsensuale dhe të gjithëpranuar raundin e ardhshëm, atëherë procesi kalon në dy raundet e fundit me votim të thjeshtë 70+1

Edhe raundi i dytë i zgjedhjes së Presidentit është konsumuar pa asnjë kandidat konkret. Seanca e sotme plenare zgjati vetëm 3 minuta ku kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi se raundi quhet i ezauruar. “Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë votimi quhet i kryer. Njoftoj mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve pas një ore për të vendosur datën e raundit të tretë të votimit për presidentin e ri të vendit”- theksoi Topalli, duke njoftuar edhe mbylljen e seancës. Kuvendit do të vendosë të enjten për datën kur do të zhvillohet raundi i tretë i votimit për presidentin e ri të shtetit. PD dhe PS nuk kanë arritur sërish konsensus në konferencën e kryetarëve për të vendosur në lidhje me raundin e tretë. Ndërkaq, takimi i djeshëm mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama u cilësua si pikënisje për dialogun në funksion të zgjedhjes së presidentit konsensualisht. Në deklaratat e tyre, kryetarët e dy partive kryesore theksuar se secili kishte shprehur qëndrimet e tij pa gjetur pika të përbashkëta. Sipas kryeministrit Berisha shumica është e vendosur të kërkojë konsensusin sipas asaj që përcakton kushtetuta në raundet e para të votimit. Ndërsa Rama saktësoi se në takim nuk ishte folur për emra dhe se kishte kërkuar që “të ndërtohet një kornizë parimore brenda së cilës mund të gjendet konsensusi dhe opozita mund të japë konsensusin”.
Seanca e sotme e Kuvendit është ndjekur edhe nga ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, nga ambasadori i BE-së, Ettore Sequi si dhe nga ambasadorë të tjerë të akredituar në Tiranë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›