E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita/Festa e dëshmive: Papa prek me dorë gëzimin dhe vuajtjen e familjeve

04-06-2012 / Gazeta 55

E paharrueshme, edhe Festa e mbrëmshme e Dëshmive, gjithnjë në parkun e Bresos në Milano, ku qenë të pranishëm mëse 350 mijë vetë. Ndër ta, dalloheshin flamujt e kuq shqiptarë dhe njerëz me veshje kombëtare të veriut të Shqipërisë e të Kosovës. E para, që foli me Papën, i cili iu përgjigj pesë pyetjeve, ishte një vajzë vietnameze: “Ciao, Papë. Jam Kat Tien, vij nga Vietnami. Jam shtatë vjeç… kam shumë qejf të mësoj diçka për familjen tënde, kur ishe i vogël si unë…”. Papa: “Faleminderit vogëlushe… janë çaste të paharrueshme… ishim një zemër e një shpirt i vetëm… edhe në kohë shumë të vështira, sepse ishte kohë lufte, më parë diktatura, pastaj varfëria… Por dashuria ndërmjet nesh, gëzimi edhe për gjërat më të thjeshta ishte i madh, prandaj mundëm t’i kapërcenim e t’i duronim edhe këto gjëra. Më duket se kjo është shumë e rëndësishme: edhe gjërat e vogla na kanë dhënë gëzim të madh… sepse shihnim se mirësia e Zotit pasqyrohej në prindërit e në vëllezërit. Me thënë të vërtetën, kur përpiqem të imagjinoj si është Parajsa, mendoj për rininë time, për fëmijërinë… Në këtë kuptim, shpresoj të kthehem ‘në shtëpi’, kur të jem në botën e përtejme…”. Çiftit të të fejuarve nga Madagaskari, të frikësuar nga martesa aq sa nuk e marrin akoma këtë vendim të rëndësishëm për jetën, Benedikti XVI u foli për ndryshimin ndërmjet dashurisë së vërtetë e dashurisë së parë, asaj të fillimit, që mund të vazhdojë, ose jo. Është si vera e parë e dasmës së Kanës, tha Papa, e mirë, por nuk zgjat deri në fund. “Vera e dytë”, ajo që duhet të fermentojë, të piqet nga ndërhyrja e Krishtit, është më e mirë e zgjat deri në fund të dasmës. Këtë duhet të kërkojmë!
Dy bashkëshortë nga Greqia shpalosën para Atit të Shenjtë pasojat e krizës dramatike, që ka përfshirë vendin. Ç’duhet bërë për të mos e humbur shpresën: “Të dashur miq, faleminderit për këtë dëshmi, që preku zemrën time e zemrën e të gjithëve. Si mund të përgjigjemi? Fjalët nuk mjaftojnë. Të flasim më parë për politikën: më duket se duhet të rritet ndjenja e përgjegjësisë në të gjitha partitë, të cilat nuk duhet të premtojnë gjëra, që nuk arrijnë t’i realizojnë, nuk duhet të kërkojnë vetëm votat për vete, por të marrin përsipër përgjegjësinë për të mirën e të gjithëve. Duhet kuptuar se politika është gjithmonë edhe përgjegjësi njerëzore e morale para Zotit e para njerëzve… Megjithatë… ç’mund të bëjmë ne? Ndoshta, vëllazërime ndërmjet qyteteve, familjeve, famullive mund të ndihmojnë… E të jeni të sigurtë se unë e shumë të tjerë lutemi për ju e kjo lutje nuk është thjesht fjalë, por ia hap zemrën Zotit e kështu, frymëzon edhe gjetjen e zgjidhjes”.
Dy bashkëshortë amerikanë me gjashtë fëmijë, nënvizuan vështirësitë për të pajtuar punën me familjen. E Papa iu drejtua punëdhënësve me kërkesën për ta ndihmuar familjen t’i jetojë si duhet kohën e punës e kohën e festës, me respekt të veçantë për të dielën. Benedikti XVI iu rikthye problemit të të divorcuarve, pas pyetjes së çiftit brazilian për dramën e katolikëve të divorcuar e të rimartuar. Pranoi se Kisha nuk ka receta të thjeshta për këtë, por mund të bëjë shumë për t’u treguar këtyre çifteve dashurinë e saj e të bashkësisë, pjesë e së cilës janë edhe të divorcuarit. Në fund, një çift nga Çento, në zonën e tërmetit të Emilia Romanjës, në Itali, përqafoi Papën dhe mori me vete bekimin e Benediktit XVI dhe sigurinë se Kisha, Karitasi, famullitë, të gjitha strukturat nuk do t’i lënë vetëm.
Editoriali i Radio Vatikanit: “Festa e familjeve”/Pikërisht, Takimit të familjeve në Milano, me temë “Familja, puna dhe festa” ia kushton komentin javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. “Kam kremtuar 50-vjetorin e martesës së dy bashkëshortëve, që vërtet janë dashur shumë e duhen shumë edhe sot, si e më shumë se ditën e parë. Është një nga festat më të bukura, ku kam marrë pjesë. Këta bashkëshortë kanë marrë dhuratën e qëndrimit së bashku për shumë kohë, të tjerë janë ndarë më parë – fizikisht – nga vdekja, por kanë jetuar të njëjtën përvojë, megjithëse për një kohë më të shkurtër. Jo çdo gjë ka qenë e lehtë, por kurrë nuk u ka munguar vullneti për ta bërë rrugën së bashku e, kurrë nuk është tharë vena e dashurisë dhe e bashkimit të tyre të thellë. Është diçka e mundur, është diçka reale, mund ta gjejmë mes nesh. Mendoj se është përvoja më e bukur, që u ofrohet grave dhe burrave të kësaj toke, në kuadrin e gjërave normale të jetës; përvojë e plotë, njerëzore, pra, fizike e shpirtërore njëkohësisht, që natyrshëm, ka prirjen të përhapet, duke dhënë jetë e gëzim përreth. Ç’mund t’u urojmë më mirë se kaq të rinjve dhe personave, që i duam? A nuk duhet t’i ndihmojmë vërtet të ecin në këtë drejtim e të kenë dëshirë për ta realizuar këtë ideal, nëse jo në mënyrë të përsosur, të paktën aq sa munden? Pse duhet të besojnë se është diçka e pamundur, jo e kësaj bote? Ndoshta, shumë vetë e kanë dëshiruar e nuk e kanë marrë këtë dhuratë, por vuajtja e zhgënjimi nuk duhet të na ndalojnë të vazhdojmë të ecim së bashku në drejtimin e duhur, sepse vetëm kështu kemi më shumë shpresë e mundësi të arrijmë. E të gjithë mund të gëzojmë për dashurinë e vërtetë, edhe kur ajo jetohet nga të tjerët. Pra, nuk duhet ta ulim vlerën e dashurisë së thellë e besnike ndërmjet një burri e një gruaje: kur e shohim dhe e gjejmë atë, na bëhet e qartë se është një nga gjërat më të bukura të botës. Kush përfiton nga mosnjohja e saj? Kush e kërkon lumturinë në rrugë të tjera është i lirë ta bëjë këtë, por duhet të vijë e të na tregojë se ç’ka gjetur në to. Kjo është udha kryesore, që u dhurohet shumicës së burrave e të grave të kësaj toke, në të gjitha epokat. Për të mirën e tyre, për lumturinë e tyre, duhet t’i ndihmojmë ta gjejnë e ta përshkojnë për gjithë kohën, që u jepet në këtë botë. E ndoshta kështu, do ta kuptojmë më mirë se si vazhdon jeta në tjetrin. Dashuria: ky është kuptimi i festës së Milanos”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›