E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti me vota të popullit

Votohet neni 84 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës që ka të bëjë me kompetencat e presidentit, por nuk janë votuar edhe ndryshimet që janë bërë në të, pasi që nuk ka marrë më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të komisionit dhe teksti si i tillë do t’i dërgohet kuvendit për miratim.

Në këtë mbledhje kishte edhe pakënaqësi të mëdha nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët u ankuan se nuk kanë qenë të ftuar në takime dhe konsultime që janë bërë për propozimet dhe ndryshimet e nenit 84.

Ky debat i nxehtë rrodhi të hënën në mbledhjen e radhës të Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, e fundit për mandatin e dytë të tij, më ç’ rast kishte polemika rreth propozimeve për kompetencat e presidentit të ardhshëm të zgjedhur nga populli.

Kryetari i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, Arsim Bajrami, duke folur për ndryshimet kushtetuese, me theks të veçantë për zgjedhjen e presidentit, ka thënë se Komisioni ka ndërtuar amendamente që mundësojnë për herë të parë zgjedhjen e presidentit nga populli dhe me kompetenca të fuqishme kushtetuese.

“Komisioni ka ndërtuar amendamente të mira të cilat do të mundësojnë që Kosova për herë të parë në historinë e vet të ketë president të zgjedhur nga populli dhe të ketë president me kompetenca mjaft të fuqishme. Me këto amendamente ne kemi krijuar bazë për funksionimin e një presidenti me kapacitet të fuqishëm kushtetues dhe dëshiroj të theksoj se absolutisht nuk bëhet fjalë për një president formal apo ceremonial, sepse jo vetëm që nuk i kemi zvogëluar kompetencat e presidentit, por ato i kemi forcuar në sferën e sigurisë kombëtare, në sferën e kryesimit më Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në sferën e emërimeve të larta”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ajo që e dallon zgjedhjen e ardhshme të presidentit me presidentët e kaluar është zgjedhja e drejtpërdrejtë e tij, e jo siç ka qenë deri më tani që zgjedhja e presidentit të mbetet peng i politikës.

Sipas tij, ndryshimet e bëra në kushtetutë do të sjellin një president plotësisht legjitim dhe nuk do të ketë më kriza politike e as stres të qytetarët, por ai do të zgjidhet nga populli.

Ndërsa anëtarja e komisionit, Vjosa Osmani, që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se ka në mbledhjen e komisionit ka pasur disa propozime për kompetencat e presidentit, por meqë asnjëri prej propozimeve nuk u votua me dy të tretat e anëtarëve, atëherë u vendos që Kuvendit t’i dërgohet teksti ashtu siç ka qenë.

“Kemi pas disa propozime lidhur me fuqinë e të drejtës së vetos së presidentit. Kanë qenë disa propozime të ndryshëm, përfundimisht meqenëse asnjëri nga propozimet nuk i mori dy të tretat e votave, u vendos që në Kuvend nga ky Komision natyrisht të shkojë teksti qysh ka qenë më herët, do të thotë që vetoja e presidentit mund të mbivotohet me 61 vota, do të thotë me shumicën e votave të deputetëve, pastaj ka qenë edhe çështja e inteligjencës dhe çështja e disa prej emërimeve, ka pas propozime të ndryshme, por nuk morën më shumë se gjysmën e votave të Komisionit dhe si të tilla, pa dy të tretat nuk mund të propozohen në Kuvend”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se në Komision ka ekzistuar një punë shumë konstruktive dhe unifikuese ku në mbi 98 për qind e çështjeve ka pasur pajtim, ndërsa për disa çështje të vogla që nuk ka pas pajtim, ajo beson se gjatë ditëve në vijim do të ketë pajtim.

Mirëpo, pakënaqësi të madhe ka shprehur anëtari i këtij Komisioni Afrim Kasolli, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili nuk i dha mbështetje ndryshimeve të këtij neni, duke thënë se liderët e partive të tjera kanë mbajtur takime për këto ndryshime, por nuk e kanë ftuar edhe Vetëvendosjen.

“Deri më tani nuk kam pas informata, por në bazë të asaj që tani u informova paska pas një takim të liderëve politikë. Nuk e di se cilët liderë kanë qenë të ftuar, por e di që Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë e ftuar në këtë takim dhe kjo rrjedhimisht e bënë punën jo parimore në shumë aspekte dhe në njëfarë mënyrë më obligon mua që të mos përkrahi kësi forma ku vendime politike të cilat kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të mos merren në Komision por të merren jashtë ambienteve të parlamentit apo ku e di unë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se disa ndryshime të këtij neni kanë ardhur në Komision 5 minuta para se të fillojë mbledhja, dhe një sjellje e tillë nuk është edhe parimore. Sipas tij, Komisioni në javën e kaluar ka arritur një farë konsensusi në çështje të kompetencave, por disa amendamente janë ndryshuar rrënjësisht dhe kanë ardhur 5 minuta para se të fillojë mbledhja e komisionit.

Kësaj ankese të Kasollit i është përgjigjur kryetari i Komisionit Arsim Bjarjari, duke thënë se është krejt normale në demokracitë parlamentare dhe pluraliste që partitë politike të marrin qëndrime në momentet të caktuara. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›