Presidenti, mesazh kosovarëve: Nuk ndalemi derisa edhe de jure të jemi në BE dhe NATO

Prishtinë, 1 Janar 2010 NOA Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një mesazh për qytetarët premtoi se shteti më i ri në botë, nuk do të ndalet derisa edhe de jure Kosova të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s.
Më poshtë vijon mesazhi i plotë i dr. Sejdiut: Dua tju shpreh urimet e mia më të përzemërta me rastin e festës së Vitit të Ri 2010. Në këtë natë solemne, ju falënderoj të gjithëve pa dallim për punën tuaj vetëmohuese për përparimin e vendit tonë dhe lus Zotin që ky vit tju sjellë edhe më shumë paqe, begati dhe lumturi juve dhe familjeve tuaja. Viti 2009 i solli vendit tonë suksese të shumta. Kosova ka qenë një faktor frymëzues i marrëdhënieve të mira me vendet e rajonit. Gjithashtu, ne mbajtëm zgjedhjet e para lokale në Kosovën e pavarur, në të cilat ju qytetarë të dashur dëshmuat edhe një herë kulturë të admirueshme politike. Edhe në vitin që po vjen ne do të punojmë me vendosmëri për ti tejkaluar sfidat që kemi para nesh, me qëllim që ta forcojmë edhe më shumë sundimin e ligjit, ta përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve dhe të ngremë në shkallë më të lartë përkujdesjen shtetërore për pensionistët, për familjet e dëshmorëve dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën e shtetit. Po ashtu, do të angazhohemi që të sigurojmë njohje të reja, ti nxisim investimet e jashtme në Kosovë dhe ta përshpejtojmë sa të jetë e mundur procesin e liberalizimit të vizave. Kosova është vend evropian dhe ne nuk do të ndalemi derisa edhe de jure të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s. Duke ju përgëzuar sërish për Vitin e Ri 2010, uroj që ndërrimin e moteve ta kaloni të lumtur kudo që të ndodheni, - përfundon mesazhi presidencial.a.b/r.b/NOA