Presidenti, pritet sot takimi i Berishës me Vangjel Dulen

Sali Berisha / Foto arkiv
Kryeministri Berisha pritet të takohet sot me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, në kuadër të negociatave për presidentin.
Takimi i parashikuar të mbahej në Kryesinë e Kuvendit ditën e djeshme u shty për shkak të vizitës që kreu i PBDNJ-së po zhvillonte në Greqi.
Ndërkohë, është i njohur qëndrimi i kreut të PBDNJ-së për të mbështetur kandidaturën e Fatos Nanos për president të vendit.
Takimi vjen dy ditë pas negociatave të dështuara mes nënkryetarëve të PS-së dhe PD-së, Ruçi e Patozi.
Të gjitha negociatat me krerët e partive parlamentare për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit të ri janë zhvilluar deri tani në nivel kryetarësh, me përjashtim të atyre PD-PS, për të cilat janë caktuar dy ekipe negociatore që kryesohen nga nënkryetarët Ruçi e Patozi. / G.N.