Presidenti sudanez Omar al-Bashir anulon vizitën në Kinë

Presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, i cili akuzohet nga Gjykata Ndërkombëtare për genocid, ka anuluar sot vizitën katër ditore në Pekin.
Sipas qeverisë kineze vizita e Bashirit është “shtyrë”, dhe takimi me presidentin Hu Jintao është anuluar.
Grupet për të drejtat e njeriut kanë ngritur zërin kundër Kinës për shkak të kësaj vizite, pasi Bashir kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime nën akuzat për genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në rajonin perëndimor të Sudanit, Darfur, ku 300 mijë njerëz kanë vdekur që nga viti 2003.
Kina, është mbështetësja më e madhe e regjimit sudanez dhe konsumatorja më e madhe e naftës së Sudanit.
Shumica e fushave të naftës gjenden në jug, i cili do të pavarësohet në javën e ardhshme.