E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti të betohet në Prekaz

Në debatin e katërt me radhë me qytetarë, të organizuar nga Demokracia në Veprim dhe Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, janë dhanë propozime të ndryshme për dilemat e hapura rreth ndryshimit të Kushtetutës. Një prej kërkesave të qytetarëve të Drenasit ishte që Presidenti të betohet në Prekaz, tek memoriali i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Në hapje të debatit, një fjalë rasti e ka mbajtur kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, i cili vlerësoi se kjo formë e debatit është jashtëzakonisht e mirë, sepse iu mundëson qytetarëve që drejtpërdrejt të bëjnë amendamentimin e Kushtetutës.

Kurse përfaqësuesi i Demokracisë në Veprim, Driton Tafallari, ftoi qytetarët që të japin propozime konkrete për presidentin e tyre të ardhshme, duke përmendur garancinë e marrë nga Komisioni Kushtetues, se propozimet e tyre do të merren parasysh në procesin e përfundimtar të amendamentimit kushtetues.

Alternativa që menjëherë zgjoi interesimin e komisionit ishte çështja e aplikimit të demokracisë së drejtpërdrejtë në procesin e shkarkimit të Presidentit të ardhshëm, në kuptimin e asaj që qytetarët duke pas përgjegjësinë për zgjedhjen e Presidentit, të kenë edhe mundësinë e inicimit të shkarkimit të tij.

Ndërsa, kriteri i propozuar nga qytetarët që kandidati për President të jetë i lindur në Kosovë, nga të tjerët u vlerësua si diskriminues për diasporën.

Ndërsa qytetarëve të Drenasit kërkuan që Presidenti të betohet në Prekaz, tek memoriali i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Sa i përket opsionit për zëvendëspresident, qytetarët vlerësuan që në rast të ekzistencës së këtij posti, të përcaktohen qartë edhe kompetencat përkatëse të tij.

Po ashtu, qytetarët kanë kërkuar që në Kushtetutë të përfshihet edhe inicimi për shkarkim i Presidentit, nga qytetarët. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›