E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zymberaj, ‘pushton’ edhe Lituaninë

Monodrama “Aktori në Kuti”, me regji dhe aktrim të Mentor Zymberajt, mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Monoperformansave dhe të Monodramës, në Lituani. Shfaqja nuk u kthye duarthatë. U zgjodh ndër dy shfaqjet më të mira të festivalit.

Monodrama “Aktori në Kuti”, e cila mori dhjetëra çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, as nga Lituania nuk u kthye duarthatë. Shfaqja këtyre ditëve mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Monoperformansave dhe të Monodramës, në Lituani - Astpindys 2011. Ishte kjo hera e parë që një shfaqje nga Kosova dhe nga shtetet ballkanike përgjithësisht ishte mysafire e teatrit të Lituanisë, dhe që u shpërblye me dy çmime.

Autori i saj, Mentor Zymberaj, thotë se është mirë të jesh pjesë e këtyre çmimeve në kohën kur kultura dhe arti shqiptar - dhe në veçanti ai kosovar - ka nevojë që të promovohet në nivele më të larta artistike botërore.

“Jam i kënaqur, ngase një vepër origjinale që, mes tjerash, trajton edhe temat tona, po sjell suksese. Madje, ky trajtim dhe kjo formë po gjen vend në piedestalet e artit evropian dhe atij botëror”, shprehet ai.

Shfaqja "Aktori në Kuti", me regji dhe aktrim të Mentor Zymberajt, dhe në realizim të Shtëpisë Teatrore Filmike AKT, pati një sukses të jashtëzakonshëm në artin skenik.

Ajo u vlerësua shumë nga juritë dhe audienca ndërkombëtare. Kësaj radhe kjo shfaqje u përzgjodh nga Juria Profesionale e Festivalit në Lituani si njëra prej dy shfaqjeve më të mira, krahas asaj "Antigona", të aktores lituaneze Birute Mar. Të dy shfaqjet u nominuan për çmimin e vetëm të Festivalit - Grand Prix.

Pas vendimit se dy shfaqjet janë fituese të këtij çmimi, Drejtoria e Festivalit kërkoi që të ruhet tradita dhe që Çmimi Grand Prix t’i takonte vetëm njërës shfaqje. vendimi i Jurisë, e cila ishte e ndarë në dy pjesë, tregonte se rezultati ishte i barabartë (tre anëtarë jurie ishin për njërën, e tre të tjetër për shfaqjen tjetër).

Por, pas diskutimeve të gjata, u mor vendim që çmimi Grand Prix të mbetet në Lituani, dhe t’i takojë shfaqjes "Antigona". Por, pavarësisht kësaj, të dyja shfaqjet të cilësoheshin fituese dhe si të tilla të bëjnë hapjen solemne të festivalit të ardhshëm në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius. Paralelisht, që të dy shfaqjet të shpallen edhe si "shfaqje Nderi" të Festivalit Astpindys.

Sipas Zymberajt, loja ka qenë ajo që provokoi jurinë lituaneze, në përbërje të së cilës kishte edhe anëtarë nga Rusia, Armenia, Franca e Ukraina. Mirëpo, siç shprehet ai, edhe regjia, skenografia, muzika dhe elementet tjera të shfaqjes ishin detaje që i bënë shumë përshtypje jurisë profesionale.

“Aktori në Kuti” - Mentor Zymberaj, sfidoi artistë të mirënjohur në festival, si Herbert Kaluza (Gjermani), Januz Stolarski (Poloni), Aleksandar Rubionovas (Lituani) dhe Irina Jevdokimova (Rusi), që të gjithë laureatë dhe fitues të shumë çmimeve në festivale të njohura ndërkombëtare. Dhe jo vetëm kaq, nga juria vendore në Lituani dhe nga ajo e qytetit Visaginas, Mentor Zymberaj u shpërblye edhe me çmimin ‘Realizim Mjeshtëror i Personazhit të Monodramës’.

Ndryshe, shfaqja "Aktori në Kuti" mori tri ftesa për pjesëmarrje në Festivale të Monodramës, në Francë, Armeni dhe në Kaliningrad (Rusi).

Zymberaj pret që shfaqja të jetojë gjatë. “Deri me tani shfaqja fitoi 12 çmime ndërkombëtare. Tani jam ftuar edhe në Armeni, Kaliningrad dhe në Francë. Kjo pjesëmarrje e promovoi Kosovën dhe kulturën e saj. Njëherësh, përmes saj po shpërfaqet edhe mrekullia e artit shqiptar, ndoshta e fjetur me vite, dekada dhe shekuj. Unë besoj në gjenezën e artit tonë”, thekson ai.

Aktualisht, Zymberaj po punon në monodramën e re "Oficeri Im i Vogël", me të cilën beson se do ta vazhdojë rrugën e "Aktorit në Kuti".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›