E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidentin Nishani takon Rongming

Presidenti, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me Delegacionin e Konferencës Konsultative Politike të Republikës Popullore të Kinës, i kryesuar nga Zëvendëskryetarja e Komitetit Kombëtar, Zhang Rongming, të cilët ndodhen në vendin tonë në një vizitë zyrtare me ftesë të Kryetares së Kuvendit, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Presidenti Nishani vlerësoi si shumë pozitive marrëdhëniet tradicionale mes dy vendeve tona, duke shprehur mbështetjen e tij për zhvillimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat.

Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria është e interesuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e më gjerë me Kinën, duke e siguruar zyrtaren e lartë kineze se biznesi kinez do të gjejë në Shqipëri fusha interesante dhe një klimë mikpritëse për të investuar në infrastrukturë, turizëm, energji, etj.

Nga ana e saj, Zëvendëskryetarja e Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Republikës Popullore të Kinës, Zhang Rongming shprehu bindjen se kjo vizitë do t’i shërbejë jo vetëm nxitjes së dialogut politik, po edhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve me interes të ndërsjellë në të gjitha fushat.
Rongming nënvizoi se inisiativa dhe mekanizmi i bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka funksionuar mirë duke kërkuar që në këtë kuadër Shqipëria dhe Kina të rrisin më tej bashkëpunimin e tyre në fushën ekonomike.
Presidenti Nishani vlerësoi angazhimin e Kinës në rajon, gjithashtu edhe çeljen e zyrës diplomatike të Kinës në Kosovë, të cilën e konsideroi si shprehje të interesit dhe vëmendjes së Kinës ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›