E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidentit Topi pret Ambasadorin e ri të Holandës, Kornelis Van den Dol.

11 shtator 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave Ambasadorin e ri të Holandës në vendin tonë, Kornelis Van den Dol, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Kryetari i Shtetit vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të miqësisë dhe të bashkëpunimit që karakterizon dy vendet tona, duke shprehur besimin në thellimin e mëtejshëm të tyre. Gjithashtu, Presidenti Topi shprehu interesimin e shtetit shqiptar për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh në fusha me interes të ndërsjellë, në arsim, kulturë, në fushën e drejtësisë, transportit, mjedisit, turizmit etj.

Edhe në këtë takim, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë integrimi në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO, duke vënë në dukje angazhimin tonë për realizimin e reformave më thelbësore në vend. Gjatë bashkëbisedimit me Ambasadorin holandez, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për kontributin dhe përkrahjen e Holandës në marrjen e ftesës për anëtarësim të Shqipërisë për në NATO, si dhe besimin në ratifikimin e shpejtë të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga pala holandeze.

Në mbyllje të takimit, Presidenti Topi i uroi Ambasadorit të ri të Holandës, suksese në përmbushjen e detyrës së tij të rëndësishme në vendin tonë.

Ndërsa, Ambasadori Kornelis Van den Dol shprehu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi dhe e siguroi atë për angazhimin maksimal gjatë ushtrimit të detyrës së tij diplomatike në shërbim të forcimit dhe të konsolidimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›