E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidentja Jahjaga vijon takimet në Britani

PRISHTINË-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot me kryetaren e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Britanisë së Madhe, baroneshën D'Souza si dhe me kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Britanisë së Madhe, John Bercow.

Sipas Institucionit të Presidencës kosovare, kryetarët e dy Dhomave të Parlamentit të Britanisë së Madhe, baronesha D'Souza dhe Bercow, u interesuan për zhvillimet në Kosovë, procesin e konsolidimit të shtetësisë së saj dhe për kapacitetet e zhvillimit ekonomik. Ata theksuan se Britania e Madhe është e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën përmes bashkëpunimit ndërparlamentar por edhe në procesin e integrimeve evropiane. Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Britanisë së Madhe, John Bercoë tha se Kosova ka integritetin e saj dhe një mbështetje ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit në Londër, Presidentja Jahjaga ka patur edhe një takim me deputetin Sir Tony Baldry, që është edhe kryesues i grupit parlamentar gjithëpërfshirës për Kosovën, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe perspektivën e saj evropiane. Ajo ka patur edhe një drekë pune me deputetë të Parlamentit të Britanisë së Madhe që angazhohen për Kosovën dhe për rajonin e Ballkanit.

Presidentja Jahjaga, sot pasdite zhvilloi një takim me Baroneshën Warsi në Zyrën për Komonuellth dhe Politikë të Jashtme, e cila u interesua për agjendën evropiane të Kosovës, për marrjen sa më të shpejtë të MSA dhe liberalizimit të vizave.

Baronesha Warsi, gjithashtu shprehu interesim për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, për pjesëmarrjen sa më të madhe të komuniteteve, veçanërisht të komunitetit serb në katër komunat në Veri të Kosovës.

Presidentja Jahjaga theksoi se marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, ka përcaktuar datën për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në Veri dhe llogaritet në përkrahjen e Serbisë për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve si dhe për shpërbërjen e të gjitha strukturave paralele sipas planit të paraparë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›