Presidentja i përgjigjet Albin Kurtit

Presidentja e Kosovës Jahjaga i është përgjigjur lëvizjes “Vetëvendosjes”, respektivisht kreut të saj Albin Kurti për kritikat që ia kishte bërë për ngjarjet e muajit të kaluar dhe për bisedimet me Serbinë.
E para e shtetit duke iu përgjigjur për protestat thotë se për të qenë legjitime dhe legale ato duhet të paraqiten me kohë në organet kompetente dhe të respektojnë kushtet e përcaktuara me ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Kurse sa i përket dialogut ajo shkruan se si presidente mban qëndrimin se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka alternativë dhe se kjo është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Kurse sa i përket unitetit të cilin ia konteston Vetëvendosje, presidentja thotë se përcaktimi kushtetues që Presidenti e përfaqëson unitetin e popullit nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe unitetin politik.
Presidentja i thotë Vetëvendosjes se ajo nuk sillet si përfaqësuese e ekzekutivit policor, dhe shprehet krenare që ka punuar në Policinë e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq sa i përket pjesëmarrjes së saj në përvjetorin e PDK-së, Jahjaga thotë se si faktor uniteti e kam për obligim të marrë pjesë në përvjetorët e partive politike./Indeksonline/