Presidentja ia kthen Kodin Penal Kuvendit
"Bazuar në kompetencat e Presidentes së Republikës së Kosovës, sipas nenit 84 pika 6 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vendimi për rishqyrtimin e Kodit Penal 5shtë marrë se u vlerësua se Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj", thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i presidentes.
Dy nenet e kontestueshme nga asociacionet vendore dhe ndërkombëtare të mediave, neni 37 dhe 38, janë cilësuar si “përpjekje për të heshtur gazetarinë hulumtuese”.
Nenet në fjalë kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.
AGPK'ja mirëpret vendimin e presidentes
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka mirëpritur vendimin e Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga që të kthejë Kodin e Ri Penal në Parlamentin e Kosovës. AGPK-ja vlerëson se me një vendim të tillë është shpëtuar Liria e Shtypit në Kosovë, e cila rrezikohej seriozisht nga përmbajtja e Kodit aktual.
"AGPK-ja falënderon gazetarët dhe mediet për unifikimin e jashtëzakonshëm në mbrojte të Lirisë së Shtypit, pa të cilin unifikim nuk do të mundësohej kjo mbrojtje. AGPK-ja falënderon partnerët vendës e ndërkombëtarë, organizatat, Zyrën e BE-së në Kosovë dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë për mbështetjen e kërkesave të drejta të gazetarëve", thuhet ne nje njoftim te AGPK'se.
"AGPK-ja i bënë thirrje Parlamentit të Kosovës që të pranojë kërkesat e komunitetit të gazetarëve. AGPK-ja i bënë thirrje subjekteve politike në pushtet dhe opozitë që të mbështesin kërkesat e gazetarëve. AGPK-ja do të jetë në funksion të arsyetimit ligjor të kërkesave të komunitetit. Liria e Shtypit nuk negociohet", thuhet me tej ne njoftim.
Edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë mirëpret vendimin
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer mirëpriti sot vendimin për të kthyer në rishikim në Kuvendin e Kosovës dispozita të caktuara të kodit të ri penal të cilat kërcënojnë të zvogëlojnë lirinë e mediave.
“Unë e mirëpres vendimin për t’i kthyer nenet 37 dhe 38 të kodit të ri penal të Kosovës për rishikim në Kuvend. Këto dy nene në formën aktuale minojnë lirinë e mediave”, tha ai.
“Neni 37 i veçon mediat dhe gazetarët nga të gjithë personat tjerë apo entitetet ligjore të cilët potencialisht mund të kryejnë një vepër penale duke shpërndarë disa lloje të caktuara të informatave. Për më tepër, ai lejon që një person të mbaj përgjegjësi penale për ndonjë keqbërje të një personi tjetër.”
“Neni 38 dështon të themelojë një të drejtë pozitive për media për të mos zbuluar burimet e informacionit dhe nuk e specifikon qartë situatën në të cilën medias do t’i kërkohej ta bënte këtë”.
Almhofer i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që edhe një herë t’i rishikojë këto dispozita dhe t’i adresojë brengat e ngritura nga organizatat për lirinë e mediave dhe vetë mediat.
Ai gjithashtu përshëndeti progresin e arritur kohëve të fundit me miratimin e legjislacionit që ka për qëllim sigurimin e pavarësisë së transmetuesit publik dhe Komisionit të Pavarur për Media, duke hapur rrugën për themelimin e një kanali të dytë të transmetuesit publik në gjuhën serbe.