Investitorët kinezë, Basha: Interes për infrastrukturën
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti sot në një takim, një delegacion me drejtues vendorë dhe biznesmenë nga Bashkia e Nanjingit, të kryesuar nga Nënkryetari i Bashkisë z. Li Fuquan. Në përbërje të delegacionit janë drejtues të 67 sipërmarrjeve, ndër 500 më të rëndësishmet në Kinë dhe 100 biznesmenë të cilët kanë zgjedhur Tiranën, si destinacionin e parë të tyre në Europë. Ata do të jenë pjesë e panairit të teknologjisë dhe investimeve që nis nesër në Tiranë. Kjo vizitë, sipas Kryetarit të Bashkisë dëshmon besimin që investitorë të rëndësishëm kanë tek Tirana dhe projektet e Bashkisë, për zhvillimin ekonomik dhe punësimin.
“Panairi që nis nesër me pjesëmarrjen e këtij delegacioni të madh të industrialistëve kinezë dhe partnerëve të tyre shqiptarë është hapja e një kapitulli të ri, për kontributin e kapitalit kinez në rritjen ekonomike të Tiranës, në investimet në Tiranë, që përkthehen në hapjen e më shumë vendeve pune për qytetarët e Tiranës dhe në veçanti për rininë e Tiranës” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka bërë një prezantim të projekteve për zhvillimin e Tiranës. Zoti Basha bëri të ditur se ka përfunduar draft plani i ri urbanistik, në të cilin parashikohen investime të mëdha, në infrastrukturë, ndërtimi i Unazës së Madhe, zgjatimi i bulevardit dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i dy linjave të tramit dhe terminalit multimodal të pasagjerëve etj. Këto janë mundësi të mëdha sipas Bashës dhe ne mirëpresim investitorët kinezë, të bëhen pjesë e zhvillimit të Tiranës.
Bashkia e Nanjingit, me mbi 8 milionë banorë dhe që për 500 vjet ka qenë kryeqytet i Kinës është një ndër qytetet më të zhvilluara. Është qyteti i dytë në Kinë për ndërtimin e autostradave, me rreth 500 km, ka 53 universitete, 19 prej të cilëve janë më të famshmit në Republikën e Kinës dhe 800 mijë studentë. Tregtia me jashtë e kësaj bashkie, arrin në 57 miliardë dollarë. Teknologjia, arsimi dhe transporti, ndërtimi i zonave industriale janë fushat që e rendisin këtë bashki, ndër më të suksesshmet në Kinë. Sipas Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, prania e këtyre investitorëve në Tiranë hap një javë shumë të rëndësishme për investimet e huaja në Tiranë dhe e rendit Tiranën, si një partner të besueshëm.
“Sot fillon një javë shumë e rëndësishme për Tiranën, e cila do të ketë në qendër investimet e huaja dhe projektet strategjike të qytetit tonë. Pyetja shtrohet se pse ky delegacion ndodhet sot në Tiranë, çfarë i sjell këto pesha të rënda të kapitalit kinez dhe këta “lojtarë” të rëndësishëm të kapitalit botëror, në qytetin tonë. Pikë së pari një partneritet i hapur dhe i sinqertë, i farkëtuar në bashkëpunim me autoritetet kineze dhe që ka në qendër zhvillimet e reja në Tiranë, bulevardin e ri, rehabilitimin e lumit të Tiranës, projektet e infrastrukturës dhe gjithë impaktin që kjo do të sjellë për investimet private, në veçanti në fushën e prodhimit, por po kështu në fushat e ndërtimit, shërbimeve dhe infrastrukturës” – theksoi z.Basha.
Po kështu, një praktikë e re është vendosur në Bashkinë e Tiranës për lejet e ndërtimit, marrja e së cilës nuk do të zgjasë më shumë se 55 ditë. Zoti Basha i ka garantuar investitoret kinezë, se Bashkia do të bëjë gjithçka për suksesin e tyre dhe që ata të ndihen si “në shtëpi”.
“Investimet e huaja kërkojnë një ambient të përshtatshëm dhe Tirana ia ka arritur të bëjë pikërisht këtë, të krijojë një ambient miqësor për biznesin, të krijojë një ambient miqësor për investitorët dhe një plan të mirë të investimeve dhe të projekteve strategjike. Kjo është arsyeja se pse ky delegacion ndodhet sot në Tiranë” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Nënkryetari i Bashkisë së Nanjingit shprehu bindjen se investitorët kinezë do të përzgjedhin Tiranën, për të shtrirë aktivitetin e tyre, sikundër vlerësoi lehtësirat për biznesin dhe vizionin e projektet e zotit Basha, për zhvillimin e Tiranës. Zoti Li Fuquan i dorëzoi Kryetarit të Bashkisë, zotit Basha edhe ftesën zyrtare të Kryetarit të Bashkisë së Nanjingit, sikundër pranoi ftesën e zotit Basha, që Kryetari i Bashkisë Ji Jianye, të vizitojë Tiranën.
“Kryetari i Bashkisë do të vizitojë së shpejti Tiranën, me një delegacion edhe më të madh me investitorë, pasi ne jemi të impresionuar nga planifikimet tuaja, zoti Kryetar, për të ardhmen e Tiranës dhe mbi të gjitha, për lehtësirat për biznesin, çka na ka dhënë një besim të fortë për të investuar në Tiranë” – u shpreh z. Li Fuquan.