Ne, mjekësia, media dhe rrufeja e një tragjedie
Atë ditë të gjithë mbetëm të mpirë. Pa fjalë. Të nemitur. Shifra 13 e viktimave na e shtoi hutimin dhe rrëqethjen si karshillëk dhe triumf i tersit. Atë ditë vdekja, edhe pse neve nuk na mori, na preku të gjithëve. U pamë sy më sy me të. Në jetë e sipër rrallë e shohim atë kaq afër, sepse është e padukshme. E dimë që ekziston dhe na ndjek në çdo hap, por mendjen nuk ia vlen ta mbajmë tek ajo. Kurse ajo nuk na harron. Është inatçore e egër. Godet e këput jetë verbas pa asnjë logjikë. Pa radhë. Pa rregulla. Pa ligje nga ato që krijojnë bashkësitë njerëzore. Një të tillë thuhet se e kanë eskimezët. Në muajt më të ftohtë të vitit ata struken brenda disa shtëpizave me mure akulli, me shumë pak ushqime brenda, në pritje të pranverës. Meqë ushqimet nuk mjaftojnë, rregulli i vendosur me mirëkuptim e do që më i moshuari i tyre del vullnetarisht jashtë që të vdesë në ngricë për tua lënë racionin e tij më të rinjve. Që kështu jeta të sigurojë vazhdimësinë. Mirëpo në katastrofën e 22 majit pranë Himarës ky rregull u shpërfill. Vdekja zgjodhi lulen e jetës, rininë. Edhe pse goditjet e vdekjes te njerëzit nuk ka pse të na habisin sepse ajo është mbretëresha e pashkurorëzuar e fatit tonë final, ajo çka qe shokuese në këtë katastrofë ishte aftësia makabre e saj për të këputur kaq shumë filiza njomëzakë njëherësh. Kjo na la pa gojë. Plot 13 filiza me lëng jetësor, me sharme, me virtyt dhe ëmbëlsi të papërshkueshme! Vashëzat letrare ikën përgjithnjë dhe morën me vete pa kthim libra, romane, tregime të pabotuara, të ruajtura në mendjet dhe zemrat e tyre, morën studime, teza dhe doktoratura të projektuara. Morën me vete edhe dhjetëra e dhjetëra vogëlushë, fëmijë të bukur që ato do të lindnin. Çka mund pas kësaj gjëme të na ngushëllojë? Dhe vetë fjala ngushëllim u shqiptua këto ditë me shumë uuu të zgjatura brenda
Ligji i tretë
Por, fatmirësisht, nëse vdekja nuk ka rregulla dhe ligje, natyra dhe njerëzit ato i kanë. I kanë krijuar diktuar nga nevoja. Një nga ligjet universale është ai goditje-kundër-goditjes. Ai thotë se sa më e madhe forca me të cilën godit diçka, po aq e madhe është edhe forca kundërgoditëse që lind prej saj. Atë ditë pas goditjes fatale të fatit, banorët e Himarës, kalimtarët e ndodhur pranë aksidentit, qeveria, bashkia, policia, ushtria, mjekësia, komunikacioni ajror, telefonia, madje edhe vetë vajzat e aksidentuara u bën spontanisht grusht bashkë kundër mynxyrës së pashembullt.
Pas rrëzimit të autobusit në humnerë çudia nuk ishte me aksidenti. Çudia u bënë vajzat e përgjakura të shtypura nën hekurishtet e autobusit, që u luteshin shpëtimtarëve të mos merreshin me to, por të nxitonin të ndihmonin shoqen pranë që është më rëndë se mua. U bënë banorët himarjotë të Bregut afër ngjarjes që vrapuan si të thirrur me një kod të fshehtë, të lashtë, dhe mbartnin nxitimthi cili më shpejt se tjetri në shpinë engjëlloret e lënduara. U bënë pilotët e helikopterëve që rrezikuan disa herë jetën pa u trembur me shpresë të shpëtonin sa më shumë jetë. Çudia u bënë dhuruesit vullnetarë të panumërt të gjakut që prisnin në radhë në Elbasan, në Vlorë dhe personeli mjekësor i Vlorës, Tiranës, Sarandës, Spitalit Ushtarak, që në atë mynxyrë të zezë harruan veten, familjet dhe u bënë edhe ata me plagë e me njolla të kuqe gjaku mbi bluzën e bardhë. Solidariteti impresionues njerëzor, gatishmëria e lartë institucionale, humanizmi i pashoq qytetar, që u patën hamendësuar ose edhe akuzuar jo rrallë si të humbura apo të zhdukura në Shqipëri, befas dolën nga padukshmëria dhe u bënë drita e bardhë e asaj dite të zezë. Të tria këto vlera janë pasuri kombëtare e pashoqe. Janë kapitali ynë social ose, e thënë ndryshe, aftësia e popullatës për të bashkëvepruar vullnetarisht me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare për gjëra të shtrenjta me interes të përbashkët shoqëror dhe kombëtar.
Atë ditë Shqipëria humbi 13 jetë, por fitoi nder sa për 130 vjet. Qoftë vetëm me këtë akt reagimi të civilizuar ajo e kaloi testin për tu bërë pjesë integrale e merituar e qytetarisë europiane. Shkarkimi elektrik prej rrufeje i ngjarjes u duk sikur shkriu në ato çaste tragjike të asaj dite të gjitha barrierat e vockla individualiste që na ndanin. Dhe saldoi etikën tonë të re të një bashkësie të civilizuar që funksionon bazuar në respektin, solidaritetin, ndihmën dhe dhembshurinë për njëri-tjetrin. Besoj se nuk do të kalojë shumë dhe banorët e Himarës e të Bregut, të shquar për shpirtin poetik e burrnor, do të memorizojnë në këngët e tyre me ison karakteristike elegjike të zgjatur tragjedinë e paharruar të kësaj ditë-nate. Në të do të shprehet jo vetëm dhimbja e thellë e pashërueshme e humbjes së vashave engjëllore, por edhe falënderimi ynë për to. Sepse me fatkeqësinë e tyre ato na bënë të njohim më mirë, na bënë ta duam më shumë e ta vlerësojmë më tepër njëri-tjetrin.
Drita e rrufesë
Në këtë kob ndodhi edhe diçka tjetër e dobishme lidhur me mjekësinë. Njerëzit e patën rastin ta shikonin atë në një këndvështrim tjetër dhe ta njohin më nga afër dhe pa paragjykime. Kjo falë efektit të rrufesë. Në pak fraksione të sekondës drita e rrufesë ndriçon më qartë gjithçka. Katastrofa të tilla si kjo apo ajo e Gërdecit, ose përmbytjeve apo tërmeteve, kanë qenë për mjekësinë tonë si rrufetë e papritura që me dritën e vetëtimës së tyre u kanë ndriçuar njerëzve anë të panjohura mirë prej tyre. Drita e ngjarjeve të tilla tragjike bën që bluzave të bardha tu shquhet më mirë e më vërtetësisht e bardha e tyre e pastër e panjollosur. Gatishmëria e përhershme në ndihmë të atyre që aksidentohen, ndenja e lartë e përgjegjësisë, e organizimit, e bashkëpunimit ndërsektorial, e kompetencës profesionale, e humanizmit dhe e shpirtit të sakrificës që e karakterizojnë mjekësinë si profesion, dalin në këto raste më të dukshme në dritë. Njerëzit gjatë tyre kanë rastin edhe të rishikojnë me një sy tjetër për çka mund të kenë thënë ose menduar në emocione e sipër në këto vite tranzicioni për mjekët dhe mjekësinë tonë në përgjithësi. Rastet e fatkeqësive të tilla të mëdha u kanë dhënë atyre mundësinë të binden që humanizmi i mjekëve tanë kurrsesi nuk ka humbur. Ai në të tilla episode, përkundrazi, ka shkëlqyer. E vërteta është që përgjithësisht mjekësia e urgjencës, apo mjekësia e katastrofave është në këtë drejtim më me fat. Ajo, duke qenë shpëtimtare e jetës, është e mbushur me famë dhe lavdi. Në të gjithçka kryhet me ritëm marramendës të shpejtë, me përpikëri të lartë profesionale, por edhe me guxim e kreativitet. Për vetë natyrën dhe rrethanat e saj ajo merr pa fund mirënjohje dhe falënderime të përzemërta prej njerëzve. Por, natyrisht, ndodh edhe të marrë decepsionet dhe dhimbjen shpirtërore të humbjes së jetës të pashpëtueshme. Kurse me më pak fat është mjekësia tjetër. Ajo e përditshmja, që merret me sëmundjet kronike, e sidomos me lëngatat e pashërueshme. Ajo nuk ka asgjë heroike, përkundrazi, rrjedh kryesisht monotone e prozaike. Në dy dekadat e fundit ajo, me ose pa të drejtë, ka ndodhur të jetë antenamuar, përgojuar e keqgjykuar, ose e keqinterpretuar nga qytetarët e pacientët. Sepse është e ngadaltë, e stërzgjatur në veprimet e saj pa ritmin, as eficiencën e mjekësisë së urgjencës. Për fat të keq, ajo nuk mundet të shërojë përfundimisht ose të rikthejë në jetë. Si e tillë, është më pak e vlerësuar dhe më lehtë e qortueshme nga qytetarët. Por, në të vërtetë, veprimtaria e saj është esenciale dhe jetësore. Sepse sëmundjet kronike përbëjnë barrën kryesore dhe të përditshme të një sistemi shëndetësor. Këto sëmundje, duke mos u shëruar dot rrënjësisht, kërkojnë mjekim e kujdes jo në çast, as në një ditë a dy, por gjatë gjithë jetës së të sëmurëve. Ky ndërveprim i stërzgjatur pa efekt spektakolar ose me efekt të dobët e të paqëndrueshëm, është i mundimshëm, i vështirë, i lodhshëm, dhe jo shpërblyes për të dy
