E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spektakël si ai i Artës dhe Ronës

BELINA BUDINI

Shqiptarët patën momentet e tyre të spektaklit ndërkombëtar javën që shkoi përmes aktores Arta Dobroshi dhe këngëtares Rona Nishliu. Njëra në zonën e filmit dhe tjetra në atë të këngës. Të pakrahasueshme me njëra-tjetrën në çdo kënd të mundshëm, përveçse në atë të spektaklit që prodhuan për publikun europian në dy ngjarje me mbulim të jashtëzakonshëm mediatik si Festivali i Filmit në Kanë dhe ai i këngës europiane në Eurovizion. Për Shqipërinë dhe shqiptarët ishin, sigurisht, momente publiciteti nga më të rrallat, edhe për faktin se Festivalin e Kanës kanë pasur rastin ta vizitojnë fare pak aktorë shqiptarë dhe për herë të parë një këngëtare shqiptare arrin të renditet në vend të pestë në Eurosong. Të mira dhe të dobishme, patjetër, por asgjë më shumë se sa publicitet dhe spektakël, nga ai për të cilin kemi nevojë, sigurisht. Qoftë ky edhe në formën e një incidenti me veshjen që zbulon zonën intime të një aktoreje sharmante si Arta Dobroshi, apo në formën e një performance gati satanike që zbulon vokalin gati hyjnor të një këngëtareje si Rona Nishliu.
Mirëpo elementi spektakël nuk mund ta justifikojë euforinë nacionale që na kap zakonisht në raste të tilla, dhe këtu fjala është për paraqitjen e Shqipërisë në Eurovizion, pasi spektakli tjetër, ai i Dobroshit, zor të na ngrejë peshë në Tiranë dhe Prishtinë me lehtësinë që u ngrit në ajër fundi i saj i hollë për ta zbuluar pa të mbathura. E ndërsa spektakli i siklektshëm i Dobroshit si zor të fitojë zonën serioze të komentit dhe të opinionit në vend, kjo hapësirë mediatike me siguri do ti vihet në dispozicion momentit tjetër të spektaklit, atij të Ronës në Eurovizion. Klima mediatike rreth suksesit të Shqipërisë në Baku, me siguri do të bëhet edhe më e padurueshme ditët që vijnë, duke kujtuar dhe ripërtypur atë që ndodhi sikur të ishte aterrimi i Shqipërisë në Hënë, për të përdorur një fjalë nga teksti i këngës plot nonsense të Ronës, që fatmirësisht nuk u përkthye në anglisht (ndoshta edhe pse është e papërkthyeshme).
Aq më tepër tani që momenti i spektaklit ka mbaruar, duhet ti kthehemi realitetit, së vërtetës. Kjo e vërtetë nuk është se Rona dhe Shqipëria i ndërruan faqen Eurovizionit, ku triumfoi arti i vërtetë (i cili mund të jetë i pranishëm në këngën e Ronës, nuk ndihem eksperte për ta mohuar ose pranuar këtë, pasi analiza ime është vetëm mediatike dhe jo artistike). Edhe në qoftë mishërim i artit të kulluar, arsyeja për suksesin e Shqipërisë me këtë këngë nuk qëndron aspak te vlerat dhe profesionalizmi i lartë, por pikërisht te elementi i spektaklit. Këtë radhë Shqipëria spektaklin e kishte që te natyra e këngës deri te vetë stili i këngëtares. E pazakonta është spektakolare dhe Rona Nishliu ishte e pazakontë në të gjitha elementet, që nga mënyra e të kënduarit dhe deri te pamja me elemente të shijes së keqe si një bisht i gjatë flokësh përdredhur në kraharor. Të gjitha arsyet për të mos e pëlqyer dhe madje për ta urryer një performancë si ajo e Ronës me një shpërthim vokal të frikshëm, duket se u shndërruan edhe në arsye për ta veçuar atë nga të tjerët, për spektaklin që përmbante.
Askush tjetër nga përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurosong nuk ka spikatur si Rona, për mirë apo për keq qoftë. Mund ta pëlqesh ose jo, Suus është një këngë që nuk la njeri indiferent. Ndryshe nga filmi i Arta Dobroshit në fakt, të cilin reporterët e Hollivudit e cilësuan si një dramë që nuk të prek dhe që të linte indiferent si spektator. Ndaj Artës iu desh një valëvitje e fundit nga puhia në Kanë, akt që sigurisht nuk i la indiferentë ndaj saj paparacët dhe fotografët në Francë, dhe madje as tabloidët në Angli. Ashtu si vajzës tjetër së Kosovës, Ronës iu desh një qarje e përbindshme për të mos lënë indiferente deri edhe Serbinë, që i dha 1 pikë përfilljeje të detyruar. Interpretimi i Ronës, sigurisht nuk la njeri indiferent as në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku u këndua për herë të parë në publik dhe juria e Festivalit të dhjetorit në RTSH qëlloi në shenjë këtë radhë me gjetjen e vet për në Eurosong.
Prandaj, çdo leksion mbi artin e madh, elitar dhe jokomercial, avan-guard dhe të sofistikuar, me një bukuri dhe shije të pakuptuar, që do të përpiqen të nxjerrin disa nga suksesi i Ronës dhe i Shqipërisë këtë vit në Eurosong, do të ishte jorealist dhe i gabuar. Për arsye pragmatiste. Ky gjykim dhe vlerësim i gabuar rreth arsyeve përse pati sukses një këngë si Suus dhe një këngëtare si Rona në Eurosong 2012, do të ishte pikënisje e gabuar për përzgjedhjen e këngës së ardhshme të Shqipërisë në Eurosong 2013, duke prodhuar edhe një këngë tjetër të papërshtatshme për atë festival, siç kanë rezultuar një mori përzgjedhjesh të tjera deri tani, të cilat nuk kanë pasur fare shansin të shkojnë deri në finale. Rona nuk triumfoi si përjashtimi, por si rregulli i Eurosong-ut. Ajo nuk ishte e papërshtatshmja, por e duhura për në një festival si ai europian i këngës. Vetëm këtë leksion modest mund të nxjerrim nga suksesi vërtet i konsiderueshëm i Ronës dhe Shqipërisë këtë herë në Eurovizion. Një sukses si ky nuk ka përse të shndërrohet në eufori mediatike për arsyet e gabuara. Madhështia e fitores sonë jo të vogël buroi vetëm nga spektakli që dhamë. Qoftë ky edhe spektakël vaji! Ashtu si buroi nga spektakli edhe suksesi i këngës fituese, asaj të Suedisë, me një spektakël euforik, i gjithi dance. Sigurisht, as vetë fituesit nuk kanë ndonjë arsye të madhe për të qenë euforikë, pavarësisht se çfarë thoshte titulli i këngës së tyre. Apo e kanë një arsye? Euphoria ndoshta nuk ishte thjesht një këngë tjetër e gjitha spektakël, por spektakli më spektakël!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›