E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presin dakikun!

Po presim vetëm një letër dhe të futen në një objekt të cilin e kanë ëndërruar për vite.
Muzeu i Prishtinës së bashku me Institutin e Mbrojtjes së Monumenteve të Prishtinës sipas gjitha gjasave do të bëhen më një objekt që lidhet me atmosferën e punës së tyre.
Nga një barakë këto dy institucione do të transferohen në objektin, të cilin për shumë vite e ka shfrytëzuar Akademia e Arteve dhe e Shkencës së Kosovës.

“Ministri i Kulturës Valton Beqiri e ka aprovuar kërkesën tonë”, tregon Haxhi Mehmetaj, drejtues i Muzeut të Prishtinës.

Mirëpo, jo vetëm Ministri i Kulturës mund të japë leje që ky objekt të shfrytëzohet nga Muzeu i Prishtinës, pasi një leje e veçantë pritet të nënshkruhet edhe nga Ministria e Shërbimeve Publike, konfirmim të cilin nuk e ka Mehmetaj ende.

“Unë nuk kam konfirmim zyrtar por për aq sa kam njoftime edhe Ministria e Shërbimeve Publike e ka aprovuar kërkesën tonë. Është vetëm çështje kohësh kur do të na ndahet objekti”, tregon Mehmetaj. Mehmetaj thotë se në qoftë se e marrin objektin nën përkujdesjen e tyre atëherë jo vetëm që do ta prezantojnë por edhe do të përkujdesen për të, duke organizuar po ashtu edhe prezantime të ndryshme.

“Ne do ta mirëmbajmë objektin por edhe do të përkujdesemi që ta prezantojmë. Po ashtu jemi edhe Muze i qytetit të Prishtinës dhe do të përpiqemi që krahas prezantimit të objektit të prezantojmë edhe një ekspozitë që nga epokat parahistorike e deri tek fillimi i shekullit XX”, tha ai.

Eksponatet e shumta por edhe dokumentacioni i Muzeut të Kosovës po vazhdon të jetë në një gjendje të vështirë apo pranë shkatërrimit. Dhe Mehmetaj thotë se marrja e këtij objekti do të jetë më se e nevojshme.

“Për ne do të thotë shumë pasi përfundimisht do të kemi një objekt ku mund të prezantojmë kulturën tonë dhe të punojmë ashtu siç i ka hije një institucioni që merret me punët e trashëgimisë”, tha ai. Gazeta Express ka tentuar të kontaktojë më Ministrinë e Shërbimeve Publike, mirëpo për shkak të fundjavës ka qenë e vështirë të arrihet një kontakt.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›