E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presin objektin e ri shkollor, bojkotojnë mësimin

Një vendim i Këshillit të prindërve të shkollës fillore “Pavarësia” do t’i lërë jashtë bankave shkollore nxënësit e fshatit Sibovc të Podujevës.

Kushtet e vështira në këtë objekt, i cili nuk i plotëson kriteret as për së afërmi për zhvillimin e mësimit, i ka shtyrë prindërit të veprojnë në këtë mënyrë, njofton KTV-ja.

Me gjithë kërkesat e shumta të adresuara Komunës dhe Ministrisë së Arsimit për ndërtimin e një shkolle të re, prindërit thonë se nuk është ndërmarrë asgjë, si dhe zotohen që deri në plotësimin e kërkesës së tyre, fëmijët nuk do të vijojnë mësimin.

Madje, ata shkojnë edhe më larg, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës se po i diskriminon vetëm për shkakun se komunën e tyre e udhëheq LDK-ja.

Me gjithë përpjekjet e Komunës së Podujevës për t’i bindur prindërit që nxënësit të mos e bojkotojnë mësimin, një gjë e tillë ishte e kotë.

Për gjendjen e keqe të shkollës janë në dijeni edhe zyrtarë të Ministrisë. Megjithatë, në bazë të planifikimit buxhetor, ndërtimi i kësaj shkolle do të bëhet pas një viti.

Derisa u bëjnë thirrje prindërve t’i kthejnë fëmijët e tyre në mësim, zyrtarë të kësaj ministrie mohojnë zërat e banorëve se kjo komunë po anashkalohet për shkak se nuk udhëhiqet nga partia në pushtet.

Në këtë shkollë me një hapësirë shumë të vogël e ndjekin mësimin më shumë se 300 nxënës nga katër fshatra, ndërsa mësimi zhvillohet në tri ndërrime dhe ora mësimore zgjat vetëm 30 minuta./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›