Presin shtatorin
Delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i kryesuar nga kryetari Fadil Vokrri, është kthyer në Prishtinë nga Zurichu, ku të mërkurën e kishte zhvilluar një takim zyrtar me presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter.
Dhe, me t’u kthyer në Prishtinë, Vokrri me bashkëpunëtorë e mbajtën një konferencë për media, në të cilën dhanë informacione rreth takimit të tyre me njeriun e parë të futbollit botëror.
Sipas tyre, temë diskutimi në takimin Vokrri-Blatter ishte vendimi i fundit i FIFA-s, që e lejoi përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare. “Blatter na siguroi se ai vendim nuk do të kthehet asnjëherë mbrapa”, deklaroi Vokrri.
Mirëpo, në këtë takim palët nuk kanë diskutuar rreth modaliteteve në bazë të së cilave FFK-ja do t’i organizojë ndeshjet miqësore, ashtu siç ka paralajmëruar FIFA.
“Për modalitetet do të vendosë Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s në muajin shtator, sepse më 17 korrik do të diskutojë rreth vendosjes së teknologjisë në futboll. Andaj, ne do t’i presim fillimisht ato modalitete, e më pas do të nisim të organizojmë ndeshje, sepse nuk duam t’i rrezikojmë marrëdhëniet e shkëlqyeshme tona me FIFA-n. Kur kemi pritur 20 vjet, mund të presim edhe dy muaj”, u shpreh Vokrri.
Mirëpo, Vokrri nuk është paralajmëruar fare nga Blatter se si do të ‘duken’ afërsisht ato modalitete, në kornizën e të cilave edhe do të organizohen ndeshjet miqësore për reprezentacionin kosovar.
Kështu, ende mbetet e paqartë se a do kushtëzohen miqësoret për Kosovën, si për shembull: zhvillimi i tyre jashtë kufijve të vendit pa simbole shtetërore, vetëm me grupmosha të reja e ngjashëm.
“Për modalitetet do të vendosë Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s dhe ne nuk e dimë se çfarë mund të jenë ato. Por, ne kemi kërkuar nga Blatter që mos të kushtëzohen miqësoret tona me asi modalitete dhe presim të hasim në mirëkuptimin e tij”, tha pos tjerash Vokrri.
Vokrri: UEFA nuk është kundër Kosovës
Kur FIFA e Sepp Blatterit vendosi që ta lejojë Përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, u raportua me të madhe se ndaj atij vendimi kishin reaguar ashpër Serbia dhe UEFA e Michael Platinis, saqë dukej se Blatter mund ta tërhiqte vendimin shkaku i presionit.
Por, faktikisht vetëm Serbia e kishte kundërshtuar atë vendim, e jo edhe UEFA. “Lajmi i mirë është ky: Vetë Blatter më njoftoi se UEFA nuk e ka kundërshtuar vendimin. Ai më tha se UEFA as nuk e ka mbështetur e as nuk e ka kundërshtuar vendimin e FIFA-s, por vetëm ka abstenuar. Arsyeja kryesore e kësaj është fakti se pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur Kosovën”, deklaroi Vokrri.
Raiffeisen Bank vazhdon ta mbështetë futbollin kosovar
Njëra prej bankave më të njohura në vend, ‘Raiffeisen Bank’ ka vendosur që ta mbështetë të paktën edhe për një vit Superligën e Kosovës në futboll, në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave. Nënshkrimi i kontratës së sponsorimit është bërë të enjten mes krerëve të FFK-së dhe kësaj banke. Shuma e parave me të cilat kjo bankë do ta mbështetë futbollin kosovar nuk u bë e ditur, por palët shprehën kënaqësinë që do të bashkëpunojnë për të pestin vit rresht.