Preu pemë dhe i vuri zjarrin një pjese të pyllit, arrestohet 28-vjeçari

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Policia e Tiranës ka arrestuar një 28-vjeçar, i cili dyshohet se preu pemë në fshatin Kutreq dhe më pas i vuri zjarrin një pjese të pyllit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, arrestuan në flagrancë shtetasin O. D., 28 vjeç, për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Ky shtetas dyshohet se ka prerë disa pemë në vendin e quajtur “Qafa e Kutreqit”, në fshatin Kutreq, Zall-Bastar, dhe më pas i ka vënë zjarrin një pjese të pyllit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë u bën thirrje të gjithë qytetarëve, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin, dhe fton ata që të denoncojnë në numrin 112 për çdo rast të zjarrvënies ose çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.
/r.e/a.f/