E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prevazi dhe nxënësi i tij fitojnë në Scampa Dance Competition

Dy çmimet kryesore të Scampa Dance Competition i jepen Gjergj Prevazit dhe balerinit Elton Çefa. Flet Enkel Zhuti: Shkolla shqiptare e baletit, një bazë e mirë për kërcimin bashkëkohor


Elbasan


Dueti i Trupës së Baletit Netherland Dance Theater ishte qershia mbi tortë e natës së fundit të Scampa Dance Competition. Dy balerinë të mrekullueshëm me koreografi të Jiri Kylian e Hans van Manen kanë përformuar dy pjesë që nuk do të harrohen lehtë nga ky edicion i parë i festivalit të kërcimit dhe koreografisë.


Pas prezantimit të rezultateve të trajnimit që koreografi dhe balerini shqiptar në Itali Enkel Zhuti pati me studentët e Akademisë së Arteve gjatë ditëve të festivalit, u kalua tek ndarja çmimeve të Scampa Dance Competition.


Çmimi i parë për krijimtarinë koreografike i shkoi Gjergj Prevazit me trupën e Baletit Nacional të Kosovës, ndërsa çmimi për interpretuesin më të mirë i shkoi Elton Çefës.


U dhanë disa çmime për balerinë dhe koreografë të rinj. Kryetari i jurisë, Agron Aliaj, i ardhur posaçërisht nga Londra për këtë aktivitet përgëzoi drejtorin artistik Artan Ibërshimi për këtë "arritje profesionale që u konkludua me sukses.


Pamë vepra të bukura, pamë trupa me nivel të lartë artistik, pamë idetë filozofike për bukurinë e trupit nëpërmjet lëvizjeve që vazhdimisht emocionojnë, për 6 ditë në Elbasan. Jam koshient, që jo gjithçka mund të arrihet në perfeksion.


Jam i bindur që ky aktivitet shënoi një nivel të lartë për këtë skenë dhe jam i bindur që më mirë dhe më mirë do të jetë ky festival në të ardhmen. Jetë të gjatë festivalit të kërcimit."


Në mbyllje Enkel Zhuti dha në intervistë për "Shekullin".


- Enkel si ishte përvoja e punës me studentët në Elbasan?


- Festivali i Baletit Kontemporan në Elbasan i drejtuar nga Artan Ibërshimi është një ngjarje e rëndësishme në fushën e kërcimit, ku grupet paraqesin punën e tyre në këtë gjini të re në vendin tonë.


Sigurisht, që të kërcesh balet klasik është shumë e rëndësishme dhe kërkon edhe skena specifike ndërsa për baletin kontemporan xhaz apo gjinitë e tjera është gjithëpërfshirja qytetare dhe mund ta kërcejnë dhe ta shijojnë të gjithë.


Qëllimi i work shop-eve të mia me studentët ishte lëvrimi i këtij arti duke marrë parasysh që Shqipëria ka nivel të lartë në baletin klasik, që do të thotë se mund t'i përgjigjet jashtëzakonisht mirë edhe këtij lloj baleti. Aktivitetet si Scampa Dance Competition kontribuojnë në njohjen dhe shkëmbimin e përvojave të reja.


- Si arrite që në 5 ditë të ngrinit në këmbë një pjesë të baletit kontemporan?


- Ishte e vështirë sepse student njihen për herë të parë me këtë lloj gjinie, por përderisa e morëm përsipër, duhej ta përfundonim.


Qëllimi i këtij lloj baleti është t'i vërë në lëvizje duke sjellë të renë dhe të bëjnë atë që pëlqejnë. Unë vura re tek ata një dëshirë të madhe për të punuar.

- Në ç'mënyrë ai nivel i mirë i baletit klasik që përmend ti mund t'i përgjigjet lëvrimit të kërcimit bashkëkohor?


- Balerinët tanë janë prodhim i shkollës shqiptare. Profesorët ishin mjaft seriozë edhe pse ishim të mbyllur ndaj botës.


Dikur nuk e kuptonim dot, ishim shumë të rinj por ata ishin shembulli më i mirë për të punuar. Kujtoj Agron Aliajn, Albert Jankun, Llaqi Nakon, Luan Shtinon etj. Ne atëherë i shikonim ashtu, të rreptë, sikur ishte një shkollë marinsash. E gjitha kjo na shërbeu të arrijmë këtu ku kemi arritur. Është e vërtetë që merita është edhe e jona. Serioziteti dhe angazhimi është mjaft i rëndësishëm.


- Dueti i trupës holandeze kishte një plastikë dhe një përgatitje që nuk është hasur në skenat tona. A mund të arrijë çdokush këtë performancë?


- Plastika e trupit është e rëndësishme, sigurisht. Ushtrimi është mjaft i rëndësishëm për të arritur atë plastikë që ju patë. Kjo varet edhe nga leksionet që bëjnë pasi ndryshojnë shumë ato për balet klasik nga ato për balet modern, për xhaz apo për hip-hop.

- Ka ardhur koha për shkolla të mirëfillta të baletit kontemporan në Shqipëri?


- Ka iniciativa, por mesa shoh akoma mbetet në kuadrin e asaj çfarë shihet në televizor nga studentët. Sepse nuk ka pasur mundësi që dikush nga jashtë të kthehet në Shqipëri për ta transmetuar këtë eksperiencë. Këto iniciativa janë në kuadrin e dëshirave. Shkollat e mirëfillta do të realizohen vetëm nga profesionistë që janë shkolluar jashtë, ku kjo traditë ekziston prej kohësh. Kjo gjë i takon të ardhmes.


Por duhet të dini që edhe ata që kanë mbaruar shkollën e baletit dhe janë të paangazhuar mjafton të mësojnë teknikën e të ushtrohen e mund të bëhen shumë mirë balerinë të baletit kontemporan. Pasi ky lloj baleti ka edhe një lloj veçorie, do përkushtim e vullnet, por jo talentin maksimal siç ndodh me atë klasik. Pra, mjafton që ata të rinj të punojnë e të kultivohen nga njerëz me eksperiencë në këtë fushë.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›