"Zbatimi i këtij ligji modifikon garancitë kushtetuese të caktuara për postet më të larta drejtuese të Shtetit"
Komisioni Venecias: Ligji i Lustracionit në kundërshtim me Kushtetutën
TIRANË - Komisioni i i Venecias e ka cilësuar në kundërshtim me Kushtetutën ligjin për "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve", i cili u miratua vetëm me votat e mazhorancës në fund të vitit të kaluar. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në shkurt të këtij viti vendosi pezullimin e zbatimit të tij, pas ankesave të forcave politike dhe përfaqësuesve të shpqërisë civile. Kjo është goditja e dytë që i vjen këtij ligji. Bashkë me vendimin për pezullimin e zbatimit të tij, Kushtetuesja i kërkoi Komisionit të Venecias që të jepte mendim nëse ai ishte në zbatim të Kushtetutës ose jo.
Sipas Komisionit të Venecias, antikushtetutshmëria e Ligjit të Lustracionit, qëndron në faktin se bëhet fjalë për një ligj të zakonshëm, që edhe pse për shkak të natyrës së tij nuk mund të ndryshojë atë ç'ka parashikohet nga Kushtetuta. Sipas Komisionit të Venecias, zbatimi i këtij ligji modifikon garancitë kushtetuese, të caktuara për postet më të larta të shtetit.
Aktualisht në Shqipëri, Kushtetuta përcakton specifikisht procedurat kur i ndërpritet mandati Presidentit të Republikës, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe parlamentarëve. Nëse do të gjente zbatim, Ligji i Lustracionit do t'i jepte fund këtyre garancive të mandatit që zyrtarëve.
Gjykata Kushtetuese kishte nisur shqyrtimin e kërkesave për pezullimin e ligjit, bërë nga Partia Socialiste, e cila pretendon se 28 nene të këtij ligji janë antikushtetuese.
Partia Socialiste, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë iu drejtuan Kushtetueses, duke i kërkuar pezullimin e këtij ligji.
Ligji i dosjeve u miratua dhjetorin e kaluar, ku në sallë ishin vetëm deputetët e pozitës, me 74 vota pro dhe 2 kundër, duke u kthyer në një nga çështjet më të nxehta të asaj periudhe. Menjëherë pas votimit në Parlament, opozita e konsideroi atë, një ligj jo në përputhje me filozofinë evropiane, ku Shqipëria synon të integrohet, duke akuzuar qeverinë se në këtë mënyrë, synon të godasë pushtetin gjyqësor.
Në lidhje me miratimin e Ligjit të Lustracionit kanë shprehur shqetësimin e tyre një serë përfaqësuesish diplomatik në Tiranë. Po ashtu, pas miratimit të tij nga Parlamenti, vetë kreu i përfaqësisë së Organizatës së Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian, Robert Bosch, kërkoi mosfillimin e zbatimit deri në njohjen më përbajtjen nga eskpertë të OSBE-së.
Shqyrtimi përmbajtjes së ligjit "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve" nga Komisioni i Venecias, ishte sugjeruar nga Këshilli i Evropës. Përfaqësues nga KE-ja i kërkuan Gjykatës Kushtetuese dhe qeverisë që ta paraqisnin ligjin e dosjeve në këtë komisionin për të qenë të sigurt për përputhjen e tij të plotë me detyrimet e Shqipërisë, si vend anëtar i këtij organizmi. "Ne dalim në përfundimin se duhet të kërkohet një mendim nga Komisioni i Venecias, nëse ky ligj pastrimi është në përputhje me standardet e miratuara evropiane dhe rekomandojmë që Komiteti i Monitorimit të bëjë një kërkesë të tillë si një çështje urgjente", - citohej në raportin e tyre, të përpiluar pas konsultimit në lidhje me përmbajtjen e tij.