Velipojë, 600 banorët e Rrjollit, apel për urën e dëmtuar
Problemi/ Banorët e fshatit janë shprehur se po rrezikojnë jetën e tyre teksa presin ndërtimin e një ure të re
SHKODËR - Ura që lidh fshatin Rrjoll me pjesën tjetër të komunës së Velipojës në Shkodër, prej dy javësh është dëmtuar dhe është e pakalueshme.
Kjo ka bërë që rreth 600 banorë të këtij fshati bregdetar të mund të komunikojnë me pjesën tjetër vetëm me anë të rrugës së dëmtuar dhe gati të pakalueshme nga mjetet që lidh Rrjollin me fshatin Baks.
Për të komunikuar me pjesën e tokës banorët e Rrjollit kanë përdorur një urë rreth 250 metra të gjatë dhe 70 cm të gjerë që i nxjerr ata në plazhin e Velipojës, në afërsi të Vilunit. Kjo urë, siç shprehen banorët, është ndërtuar me kontributin e tyre në vitin 1996, me një shumë prej 300 mijë lekësh.
Ajo është tejet e amortizuar, pasi është ndërtuar me mjete rrethanore dhe nuk ka asnjë element sigurie, pasi dërrasat në disa vende janë thyer. Ura ka shërbyer vetëm për këmbësorët dhe biçikletat dhe vitet e fundit aty ka mundur të kalojë ndonjë çiklomotor i vogël, ndërsa kërkesat e vazhdueshme të komunitetit të zonës për ndërtimin e një ure të mirëfilltë që do t'iu lehtësonte lëvizjen, nuk janë marrë parasysh.
Banorët e Rrjollit shprehen se, si për çdo gjë tjetër, edhe për urën ndihen të braktisur nga shteti, dhe nga komuna, e cila sipas tyre ka dhënë disa herë fonde për riparimin e pjesshëm të kësaj ure, por nuk kanë qenë efikase.
Luigj Keqani, Kolë Molla, Petrit Molla, Kolë Fusha etj., shprehen se paratë nuk dihet nga shkojnë dhe riparimet në këtë urë janë të pakta e të pamjaftueshme. "Ura vazhdimisht pëson shembje dhe ndërpritet komunikimi.
Më 5 gusht ishte një bashkëfshatar yni, Kolë Pjetër Gjelaj, që u rrëzua me motor në ujë duke u plagosur, ndërsa ura u dëmtua dhe u bë e pakalueshme. Këtu duhet një investim i mirëfilltë dhe i kontrolluar nga shteti, dhe jo nga komuna. Me aq lekë sa janë dhënë për riparimin e kësaj ure, ajo do të ishte bërë e re",- shprehen ata.
Kryetari i komunës së Velipojës, Nikollë Marku, lidhur me këtë problem shprehet se komuna ka akorduar një fond emergejnce prej 400 000 lekësh për ta bërë urën e kalueshme dhe deri në fillim të javës së ardhshme, mendohet që kjo të arrihet. Sipas Markut, është në përfundim projekti për ndërtimin e një ure të re, e cila do ta zgjidhë përfundimisht problemin e banorëve të fshatit Rrjoll".
Aktualisht banorët lëvizin me një varkë private kundrejt pagesës, ndërsa askush nuk është marrë me zgjidhjen e problemit të tyre. Situata bëhet më e vështirë kur ka reshje, që në këtë zonë shoqërohet me furtunë, dhe banorët shprehen se nuk kanë munguar rastet që në ketë lagunë kanë humbur dhe jetë njerëzish duke rrëshqitur nga ura.