E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantimi i programit, shtyhet për pasdite Kuvendi. PD mbledh grupin

Megjithë kundërshtimet e opozitës qeveria Rama është e vendosur të prezantojë sot në Kuvend programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme.

Socialistët i kanë dhënë edhe 7 orë kohë opozitës për të shqyrtuar programin përpara se kryeministri Rama ta prezantojë atë në Kuvendin e Shqipërisë.

Kështu seanca plenare e Kuvendit e cila ishte planifikuar të zhvillohej në orën 11:00 është shtyrë për në orën 18:00 pas takimit që kreu i Kuvendit Ilir Meta ka zhvilluar me kreret e grupeve parlamentare.

Programi i qeverisë do të prezantohet në orën 18:00. Shtyrja e seancës për t`i dhënë më shumë kohë opozitës të shqyrtojë programin është shprehur kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi për mediat.

Programi i qeverisë “Rama” i cili i është shpërndarë dje deputetëve  ka në fokus të tij, integrimin, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, punësimin, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, financat publike etj.

Programi i cili do të qeverisë vendin, i përbërë prej 80 faqesh është i bazuar në 3 shtylla: Liri, Përgjegjësi, Solidaritet.

Ai është i detajuar në 5 kapituj, të cilët janë: Integrimi në Bashkimin Europian, Shqipëria europiane në rajon dhe në botë, shteti i së drejtës dhe demokratizimi shoqërisë, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet publike.

Por opozita ka kundërshtuar shqyrtimin e programit qeverisës në seancën e sotme të Kuvendit. Partia Demokratike u mblodh me aleatët dhe deklaroi se shumica nuk ka shpërndarë programin e ri qeverisës dhe se ata kanë nevojë për kohë që ta studiojnë dhe të marrin pjesë në diskutimet parlamentare para se ai të miratohet.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje në mbrëmje, pas një takimi me drejtuesit e partive aleate se socialistët rikthyen metodat e tyre të vjetra të punës, duke shkelur të drejtat e opozitës, vetëm pak minuta pasi premtuan publikisht nga tribuna e parlamentit se do t’i respektonin ato.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka mbledhur sot grupin e saj parlamentar ku pritet të vendoset në lidhje me qëndrimin që do të mbajë sot në Parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›