E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azem Hajdari do të prehet tek Varrezat e Dëshmorëve, ceremonia zhvillohet nesër

Heroi i Demokracisë Azem Hajdari do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Në një njoftim të saj, Bashkia e Tiranës thekson se nesër, më datën 12 shtator, personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarët e partive politike, studentët e dhjetorit 90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë dhe kolegë të Azemit do të kryejnë homazhe për nder të tij e më pas ta përcjellin për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Sipas Bashkisë, në orën 10:00, në Pallatin e Kongreseve do të kryhen homazhe, në nderim të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari ndërsa në orën 12:00, kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, do të niset për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në orën 12:30, do të nisë ceremonia e varrimit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë Urdhërin e Flamurit dhe urdhërin më të lartë në Republikën e Kosovës, Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të dhënë nga ish – Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë.

Biografia e Azem Hajdarit:

-Azem  Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri;

-I martuar, me tre fëmijë, Kirjaldi, Rudina dhe Azemi i vogël, i  lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit;

-Më 1987, fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike;

-Në vitin 1993 diplomohet për filozofi, në Universitetin e Tiranës;

-Në vitin 1995 diplomohet si jurist, në Universitetin e Tiranës;

-Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për filozofi;

-Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani;

Aktiviteti Politik:

-Dhjetor 1990 – Udhëheqës i Lëvizjes Studentore;

-Dhjetor 1990 shkurt – Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike;

-1991 1993 – Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues;

-31 mars 1991- Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën;

-22 mars 1992 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun;

-26 maj 1996 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën;

-29 qershor 1997 – Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën;

-1992-1996 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un;

-Nëntor 1996 – Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare;

-Qershor 1997 – Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare;

-1995 1998 – President i klubit të futbollit Vllaznia – Shkodër dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›