E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohen kandidatët e mazhorancës në Burrel dhe Bulqizë

01-06-2013 / Gazeta 55

Deklarata/Ju që i dhatë kombit Zogun e Parë, ndërtuesin e shtetit të lirë shqiptar, ndëshkojeni Edi Ramën që kërkon të rilindë bllokmenët
 
Nga qyteti i Burrelit ku prezantoi kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha kujtoi Mbretin e I-rë të shqiptarëve, Ahmet Zogun, ndërtuesin e shtetit të lirë shqiptarë, ndërsa me të njëjtin motiv, ruajtën dhe konsolidimin e lirisë, kërkoi votat e matjanëve, për mandatin e tretë qeverisës. “Sot dua t’ju përshëndes ju, gratë dhe burrat e këtij rrethi që i dhatë kombit Mbretin e parë të shqiptarëve, ndërtuesin e shtetit të lirë shqiptar, burrin që konsolidoi pavarësinë e Shqipërisë dhe i dha asaj orientimin perëndimor. Shqiptaret dhe shqiptarët do t’i mbeten Mbretit Zog, birit tuaj të shquar, por edhe të mbarë kombit, mirënjohës për jetë të jetëve. Në 100 vjetorin e pavarësisë ai u rikthye në dheun e tij, u rikthye për të pushuar përjetësisht midis shqiptarëve dhe në zemrat e mendjet e tyre” - u shpreh Berisha. Shefi i ekzekutivit numëroi gjithçka qeveria ka bërë këto 8 vite, duke premtuar për mandatin e tretë Shqipërinë e zhvilluar europiane dhe me viza të liberalizuara me Amerikën. “Jemi të mbledhur në këtë shesh për të nderuar para së gjithash njeri- tjetrin, për të nderuar Matin dhe Shqipërinë, sepse në një hark kohor të shkurtër, me dashurinë tonë për Matin dhe Shqipërinë, me përkushtimin tonë, me punën tonë, me djersën dhe mundin tonë, me besimin e madh dhe të pakufishëm te njëri-tjetri, te Mati, te Zoti dhe vendi ynë, ne ia dolëm që Shqipërinë e skajuar, Shqipërinë e mënjanuar, Shqipërinë e cila nuk po konsiderohej nga askush ta bëjmë anëtare të NATO-s; ia dolëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit; ia dolëm të lëvizim të lirë, pa viza, në Evropë; ia dolëm të meritojmë statusin e kandidatit. Këto janë arritje historike që secili prej jush, çdo qytetar shqiptar, ka firmosur këto vite të qeverisjes së Partisë Demokratike. Në këto vite krize të madhe për rajonin dhe Evropën, mundi juaj, djersa juaj, puna juaj, përkushtimi juaj bëri që Shqipëria të jetë ndër më të paktat vende me rritje të qartë ekonomike. Në Shqipëri papunësia jo vetëm që nuk u rrit, por ajo pësoi një ulje dhe e bën Shqipërinë vendin e vetëm me ulje të papunësisë. Ju premtoj se katër vitet që vijnë, ne së bashku do të bëjmë Matin me infrastrukturën më moderne; do të asfaltojmë rrugët në të katër anët e këtij rrethi; do të ndërtojmë sistemin vaditës më modern; do të trefishojmë grantet për fermerët e Matit; do të finalizojmë ndërtimin e të gjitha shkollave në çdo fshat dhe komunë të këtij rrethi. Së bashku do të marrim statusin, të cilin ai ua mohoi për një vit me radhë. Së bashku do të firmosim hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Së bashku, si matjane e matjanë, shqiptare e shqiptarë krenarë do të bëjmë gjithçka për liberalizimin e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- deklaroi Berisha.
Kryeministri theksoi se në një kohë kur rajoni dhe Europa përjetoi krizë ekonomike, modeli ekonomik shqiptar i rezistoi efekteve të recensionit. “Rritja ekonomike nuk është dekret i qeverisë. Atë nuk e realizon qeveria. Rritja ekonomike e Shqipërisë ka për arkitekt qytetarin shqiptar që çdo ditë vë një tullë në këtë rritje; çdo ditë ngre një mur për shtëpinë e tij të re; çdo ditë mbjell fermën e tij; çdo ditë zgjeron biznesin e tij. Por rritja ekonomike nuk ndodh pa reforma, pa rregulla të përcaktuara nga qeveria. Rregullat dhe reformat që ne ndërmorëm ishin mbështetje e madhe për djersën tuaj, për punën tuaj, për mundin tuaj. Ja sepse këtu në Burrel, në rrethin tuaj, bizneset edhe në kohë të vështirë u dyfishuan. Ja sepse në këtë hark kohor në rrethin e Matit, në rrethin e Peshkopisë, në rrethin e Bulqizës janë në ndërtim dhe do të ndërtohen mbi 80 hidrocentrale, të cilat japin energji rreth 300 MGË dhe do të punësojnë mbi 5000 qytetarë matjanë, dibranë, nga të katër anët e këtij qarku. Rritja ekonomike nuk ndodh kurrë pa infrastrukturë moderne. Ja pse ne kemi investuar në të katër anët e këtij rrethi, kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë kudo rrugë të reja. Aty ku shkon rruga, atje shkon shpresa, atje shkon biznesi, atje zhvillohet ferma, atje ndërtohet hidrocentrali, atje zhvillohet zona. Kam kënaqësi që vij tek ju në një kohë kur gjatë këtyre viteve nga Komsia në çdo skaj të rrethit Matit, ne kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë një rrjet rrugor ndër më modernët që mund të ekzistojë. Mati pas përfundimit të rrugës Klos-Rrëshen do të ketë daljen e dytë në rrugën e kombit. Macukulli do të lidhet me Muhurin, Komsia do të lidhet me Qafë Shtamën dhe zotimi im solemn para jush - Rruga e Arbrit, rruga e dytë e kombit!”- tha ai.
Alternativa tjetër, tha kryeministri, është alternativa e akuzave të pabaza, alternativa e shpifjes dhe trillimit, alternativa e bllokimit të çdo gjëje. “Socialistë, demokratë, qytetarë të Matit edhe të gjithë Shqipërisë, shtroni vetes pyetjen se pse Edi Rama votoi kundër të gjitha rritjeve të rrogave dhe pensioneve të qytetarëve shqiptarë? Pse Edi Rama votoi kundër rrugës së kombit, rrugës së Arbrit dhe të gjitha buxheteve për rrugët e Matit, të Dibrës, të Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë? Pse Edi Rama votoi kundër fondeve për internetin në çdo shkollë? Pse Edi Rama votoi kundër rrugëve që të çojnë në zonat turistike? Pse votoi kundër të gjitha ligjeve, të cilat duheshin për heqjen e vizave, duheshin për anëtarësimin në NATO, duheshin për marrjen e statusit? A është kjo alternativa e bllokimit?A e meritoni ju bllokimin? A meritoni ju të mos rriten rrogat? A meritoni ju të mos rriten pensionet? A meritoni ju të mos zgjerohen bizneset? A meritonit ju të mos ishit në NATO? A meritonit ju të mos lëviznit të lirë, pa viza? A meritonit ju t’ju mbante peng statusin e vendit kandidat për 1 vit rresht? Të gjitha këto kanë vetëm një shpjegim - ai përpiqet më çdo kusht të riktheje neobllokmenët në pushtet”- theksoi ai.
“Rilindjen” e Edi Ramës, Berisha e cilësoi rilindje të bllokmenëve. “Mos mendoni ju kurrë se Ilir Hoxha dhe Edi Rama po luftojnë për të vendosur në piedestal Naim Frashrin, Sami Frashrin dhe burra të tjerë të shquar, sepse shqiptarët ata i kanë në zemër dhe në shpirt. Ata po luftojnë për të rikthyer në piedestal etërit e tyre; po luftojnë për të kthyer në piedestal, siç po shprehet vetë ai, gjykatat popullore. Ai kalon nga një miting në një tjetër duke kërcënuar qytetarët, duke i quajtur robër, duke u treguar hekurat. Ndërsa dje u premtonte mësuesve gjyqet publike, gjyqet e turpshme të kohës së shkuar”.  Në përfundim, kryeministri shtroi edhe një pyetje për kandidatin socialist të Matit; “sa e pagove biletën për në autobusin mavi, ku i more ato para për të hyrë në klubin e miliarderëve, kujt ia more dhe nga i nxore?”, përfundoi kryeministri Berisha. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›