E Diel, 1 Nëntor 2026

Alternativa: PD premton uljen e moshës së pensionit për minatorët në 55 vjeç

01-06-2013 / Gazeta 55

Kreu i PD prezanton kandidatët për deputetë të rrethit të Bulqizës. Premtim publik për minatorët, se një nga aktet e para gjatë mandatit të ardhshëm, do të jetë ulja e moshës së pensionit deri në 55 vjeç. Angazhimi/ Rruga e Arbrit do të përurohet në 2 vitet e para të mandatit të ardhshëm
 
“Rruga e Arbrit është projekti më madhor, së bashku me boshtin e jugut, e cila do të përurohet gjatë 2 viteve të para të mandatit të ardhshëm”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, në mitingun elektoral në qytetin e Bulqizës, duke premtuar ndërtimin e infrastrukturës më moderne rrugore në këtë rreth, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e mëtejshme të pagave dhe pensioneve. Duke kërkuar votat e qytetarëve të Bulqizës, për kandidatin e PD, Roland Keta, Berisha tha se alternativa e PD është Shqipëria e zhvilluar dhe Shqipëria europiane. “Ju bëj thirrje të votoni për Roland Ketën. Roland Keta është një biri juaj, i cili ka shumë vite në shërbimin tuaj si mjek, në shërbimin tuaj si qeveritar vendor dhe unë ju jap fjalën se me Rolandin, katër vitet që vijnë do asfaltojmë çdo rrugë në çdo skaj të këtij rrethi, se me Rolandin, katër vitet që vijnë do të ndërtojmë çdo ujësjellës e kanalizim për të gjitha fshatrat e zonat e këtij rrethi, se me Rolandin, katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka dhe rruga e Arbri do të inaugurohet gjatë dy viteve të para të mandatit të ardhshëm, me Rolandin dhe deputetët e tjerë. Katër vitet që vijnë do të ndërtohet në Bulqizë, infrastruktura më moderne nga kufiri me Librazhdin në kufi me Matin e Peshkopinë. Sëbashku do vazhdojmë rritjen e rrogave dhe pensionit. Ne i kemi mbidyfishuar ato për mësuesit, infermierët e mjekët. Mësuesit do të marrin 700 dollarë në krye të mandatit tonë të ardhshëm, rrogat e tjera do të rriten pandërprerë. Ne dyfishuam pensionet në fshat dhe do ta vazhdojmë rritjen e mëtejshme të tyre dhe rritjen e ndjeshme të pensioneve të minatorëve të Bulqizës dhe të Shqipërisë. Kjo është alternativa jonë”- u shpreh Berisha. Kryeministri premtoi ndërtimin e rrugës së Arbërit brenda dy viteve të para të mandatit të ardhshëm. “Në rrethin tuaj, pothuajse është kompletuar përfundimisht Rruga e Arbërit dhe unë jam sot këtu, për tu dhënë fjalën se Rruga e Arbërit është projekti ynë më madhor, së bashku me Boshtin e Jugut, ne do ta bëjmë shumë shpejt realitet për ju”. Duke e cilësuar Rrugën e Arbërit, si rrugën e dytë të Kombit, Berisha bëri të ditur se “po punohet drejt Urës së Vashës, nga Tirana drejt tunelit të Qafë Murrizit dhe ajo përbën zotimin tonë solemn.Ne do ta ndërtojmë atë brenda dy viteve të para të mandatit tonë”. Ai tha se kemi ndërtuar mbi 34 km rrugë nga Tirana, pjesën më të vështirë të saj, ne do bëjmë çdo gjë që ajo të jetë realitet, dhe Bulqiza bëhet një nga rrethet më të afërta me Tiranën. Duke u ndalur te miniera e Bulqizës, shefi i qeverisë tha se, “ndryshimet pozitive të mëdha kanë ndodhur në minierat e Bulqizës. Do të fillojë punën fabrika e pasurimit si dhe pusi i thellë që garanton minierën dhe për 100 vite të tjera”. Sipas tij, do të kishim dashur që këto zhvillime të kishin ndodhur më parë por ju garantoj se ritmi i tyre nuk ka të ndalur dhe Bulqiza do të jetë përsëri një nga minierat më të rëndësishme në Evropë dhe botë për nxjerrjen e kromit. Berisha u premtoi solemnisht minatorëve të Bulqizës dhe të mbarë Shqipërisë se, një nga aktet e para do të jetë mosha e pensionit 55 vjeç. Më tej, kryeministri tha se “Mati dhe i Peshkopia janë të pasura me ujëra ku janë për tu ndërtuar 80 HEC-e dhe në të cilat do të punësohen mbi 5 mijë qytetarë”. Duke premtuar se do të bëjë gjithçka për sistemin më modern të vaditjes, Berisha u ndal edhe te mbështetja për fermerët, ku bëri të ditur se, “ne kemi financuar me grante në mbarë Shqipërinë, 42 mijë fermerë, por në 4 vitet që vijnë  fermerët që do të përfitojnë nga grantet e qeverisë, do të jenë tre herë më shumë”. Duke ftuar banorët e këtij rrethi që të votojnë për kandidatët e PD-së për deputet, Kryeministri u shpreh se së bashku me deputetët e këtij rrethi, në 4 vitet që vijnë, do të asfaltojmë çdo rrugë, në çdo skaj të këtij rrethi, do të ndërtojmë çdo ujësjellës dhe kanalizime për të gjitha fshatrat e këtij rrethi”.
Qytetarët e Peshkopisë mbushin bulevardin për të pritur Berishën/Kryeministri Berisha, pas takimeve elektorale në Burrel e Bulqizë, u ndal në Peshkopi. Teksa ecte në bulevardin e qytetit, Kryeministri u emocionua nga mikpritja tepër e ngrohtë e qytetarëve të Peshkopisë. Kryeministri shkëmbeu me ta përshëndetje të përzemërta dhe mes tyre, konsumoi një kafe në një nga kafe-baret e qytetit. Edhe pse kam ardhur shpesh këtu, gjithnjë emocionohem dhe ndjehem si në shtëpi, mes dibranëve, këtyre njerëzve bujarë, mikpritës e punëtorë, do të shprehej Kryeministri pas takimit e bisedave me ta.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›