E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet AIDA Agjencia për Investime dhe Zhvillim

TIRANË- Mblidhet për herë të parë Bordi i Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA). Në mbledhjen e parë, bordi, me propozim të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, njëherësh dhe Zëvendëskryetar i bordit, zotit Ilir Meta, emëroi znj. Eneida Guria, Drejtore Ekzekutive të kësaj Agjencie, e cila më parë ka ushtruar funksionin e drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Licencimeve. Gjatë mbledhjes u prezantua edhe Statuti i Agjencisë dhe Struktura.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe Kryeministri Berisha theksoi, se kjo "Agjenci nuk merr pushtetin e agjencive të tjera, por ajo e ka fuqinë ekzekutive të bazuar në një ligj".
AIDA, u shpreh kryeministri, "duhet të bëjë çdo gjë për të pasur, zbatuar dhe shndërruar në realitet një vizion më të qartë për zhvillimin e vendit, zhvillim i cili i ka jetike investimet në ekonominë shqiptare".
Zyra e shtypit e Qeverisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që me këtë mbledhje të parë institucionalizohet Agjencia Shqiptare për Investime dhe Zhvillim, e cila është ndërtuar mbi bazën e një nga modeleve më të suksesshme që është njohur në Evropë dhe në botë.
Duke përmendur zhvillimet pozitive të ekonomisë shqiptare, e cila i rezistoi me sukses të plotë krizës ekonomike botërore, Kryeministri Berisha theksoi se "është jashtëzakonisht e rëndësishme që të shqyrtohen aspektet burokratike, në mënyrë që të përmirësohet dhe më tej kuadri ligjor si dhe të aplikohen me guxim të gjitha praktikat që kanë bërë sukses dhe që kanë shkëlqyer nga suksesi në Europë dhe Botë".
Berisha bëri të ditur se ne mbyllim vitin me një defiçit buxhetor prej 3.1 për qind , nga 4.5 për qind që e kishim sipas statistikave tona në fund të vitit 2009, me një inflacion tërësisht të kontrolluar, me investime plotësisht të realizuara, me një likuiditet të plotë të sistemit bankar dhe rritje të depozitave dhe interes të madh në investime.
Kryeministri vuri në dukje se zhvillime pozitive janë në fushën e energjisë, "ku janë mbi 30 hidrocentrale që ndërtohen tërësisht mbi bazën e investimeve private dhe detyra jonë është jashtëzakonisht e rëndësishme, që ta shndërrojmë këtë institucion që themelojmë sot mbi bazën e ligjit që miratuam në parlament, në një “One Stop Shop” në kuptimin figurativ për investitorët".
Ai kërkoi që anëtarët e bordit të kësaj agjencie të bëjnë studime dhe të përcaktojnë të gjitha ndërhyrjet favorizuese, lehtësuese që qeveria duhet të ndërmarrë, të gjitha stimujt dhe inkurajimet që qeveria duhet t'u bëjë sektorëve në përputhje me tregun dhe kërkesat e tij.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›