Përgjegjësia për të dëshmuar të vërtetën
“Papa Gregori XIII, në një ligjëratë të mbajtur në Indianna University, pati thënë se ata që e dinë një të vërtetë dhe heshtin nuk kanë ndonjë dallim të madh prej atyre që vetë të vërtetën e kthejnë në gënjeshtër”
Brezi që trashëgoi virtytet dhe kujtesën historike të baballarëve antifashistë, që u provuan në sfidën e mbijetesës, tani ka përgjegjësinë të na dëshmojë. Kësaj sentence i është përmbajtur Prof. Dr. Shaban Sinani gjatë fjalës në promovimin e librit “Imer Bara-shënime jetëshkrimore”. Në këtë veprimtari promovuese që u organizua para pak ditësh nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” në sallën e madhe të Qendrës Kulturore të Ushtrisë në Tiranë merrnin pjesë qindra intelektualë dibranë si dhe nga treva të tjera të Shqipërisë. Që në fillim, “Mjeshtri i Madh” Bujar Kapexhiu”, në rolin e moderatorit, tha se po hapte “dosjen e madhe” të një njeriu të madh, siç ishte në të vërtetë Imer Bara, me një jetë shumë të pasur. Jo pa qëllim, Prof. Dr. Shaban Sinani e konsideron këtë si një libër që dëshmon “faqen e bardhë”. Ai shprehet se në këtë libër nuk gjen vetëm Imer Barën, por zëra të një kohe, thirrje entuziaste dhe ofshama zhgënjimi, krenari dhe fyerje, të papërjashtueshme nga kjo jetë. Në rolin e përkujdesësit të botimit të librit, bashkë me Prof. Dr. Petrit Barën (I biri i protagonistit të kësaj monografie), zoti Sinani ka konstatuar se në portretin e Imer Barës gjenden shenjat e një epoke.
“Imer Bara – shënime jetëshkrimore”, kjo “monografi polifonike” ku flasin e dëshmojnë vetë protagonisti, djali i tij, Petriti, shokët e armëve e të idealeve si Dine Kaca, Mentor Muça, Sulë Baholli, Hajri Hoxha, Lekë Rajta, Lenin Vladi; por edhe të tjerë që së brendshmi nuk e kanë dashur ndonjëherë me zemër qeverisjen ideokratike të pasluftës, është përgënjeshtrimi më i besueshëm se vlera e njeriut me fuqi karakteri dhe zotësi mendore, jo vetëm që nuk u rrudh dhe nuk u ikonizua prej “dhjetë cilësive të komunistit”, por, kur gjeti individin me humanizëm të brendshëm, u përtëri e u realizua më së miri”, tha ndër të tjera Prof. Dr. Shaban Sinani në promovimin e këtij libri. Në të vërtetë, miku ynë i mirë “njeriu aq i nderua në Dibër e Tiranë, prof. dr. Petrit Bara, duke i hyrë punës si përkujdesës i këtij libri, duke mbledhur e sistemuar kujtesën e shkruar dhe atë të pashkruar të Imer Barës, të bashkëluftëtarëve të tij, të miqve me të cilët e patën bashkuar situata të gëzueshme e dramatike; të të afërmve, krijoi edhe vetë një shembull se si meriton të risillet në kujtesën e brezave më të rinj historia më e afërme”. Këtë veçori e evidentoi edhe Prof. Dr. Arian Kadiu, i cili solli në vëmendjen e të pranishmëve një fjalë të urtë të dibranëve që thotë se “kush do që të përparojë, duhet të pyesë babanë”. Më tej, duke iu referuar librit ai tha se Imer Bara ishte dhe mbetet, ashtu si dhe Dibra që i përkiste, simbol i nderimit të virtytit dhe jo të vesit. Në të njëjtën linjë, por me një gjuhë të rrallë poetike u shpreh edhe poeti Agim Doçi. Më të larmishme e bënë këtë veprimtari promovuese këngët “Kullat” dhe “Skënderbeu, gjak dibrani”, interpretuar me mjeshtri të rrallë nga i mirënjohuri Qerim Sula.
Të tjerë bashkëluftëtarë të Imer Barës sollën në kujtesë “picirukun e Dibrës” në fillimet e lëvizjes antifashiste që të gjitha detyrat e ngarkuara nga DEBATIK-u i kryente me sukses, si dhe partizanin e mëvonshëm trim e të guximshëm, që nga nëntori i vitit 1943 deri në korrik 1944 punoi në terren, fillimisht duke shpërndarë materiale nëpër zonë, pastaj me agjitacion e propagandë kundër pushtuesit nazifashist në zonën e Dardhës. Më pas atë e gjejmë në shumë detyra luftarake në brigadat XVI e XXVI, ku luftoi trimërisht deri në çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit nazifashistë.
Edhe pas çlirimit ai punoi gjithë përkushtim ndaj çështjes së madhe të atdheut e kombit. Kudo në Lurë, Fushë Çidhën, Sllovë, Kastriot e gjetkë, ai e tregoi më së miri karakterin e tij të pathyeshëm si njeri i ndershëm e shumë njerëzor, i thjeshtë e shumë popullor, që vetëm mirë u bënte njerëzve. Ndonëse në ato zona janë përplasur në forma nga më të ndryshmet konjukturat politike e agjenturore, Imer Bara nuk gëlltiti asnjë lloj çorbe të përgatitur nga palët. Përkundrazi, me zgjuarsinë e tij, me punën e ndershme që bënte, ai mori në krah të njerëzve të pafajshëm që të mos binin viktima për motive politike, apo për interesa të tjera të njërit apo tjetrit.
Siç u tha edhe nga bashkëkohësit në promovimin e këtij libri, gjatë viteve që Imer Bara punoi në zona të ndryshme të Dibrës, nuk u akuzua dhe as “u kap” njeri. Kjo sepse informimet e denoncimet që i shkonin asnjëherë nuk i merrte shabllon, por bënte verifikime të hollësishme dhe si oficer i organeve të brendshme i mbronte njerëzit e pafajshëm. Dhe vërtetë, siç shprehet për të Prof. Dr. Shaban Sinani: “I sunduar prej mirësisë, Imer Bara e shpërndau jetën e vet nëpër mendjet njerëzore dhe përmes tyre mbijeton”.