Alushi: Zbatimi i rekomandimeve të KLSH-së rikthen 90% të fondeve në buxhet
Fondet publike që shteti jep për bashkitë, komunat, qarqet, prefekturat, për të realizuar projektet të ndryshme në funksion të taksapaguesve, shpesh nuk derdhen të gjitha në destinacion. Pikërisht për të kontrolluar se si menaxhohen fondet e buxhetit të shtetit, Kontrolli i Lartë i Shtetit me anë të një departamenti të veçantë, kryen kontrolle në gjithë këto institucione. Gjatë vitit 2008, KLSH ka ushtruar kontrolle në 18 bashki, 12 komuna, 8 Këshilla Qarqesh, 3 Prefektura dhe disa Zyra të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe disa institucione të tjera të nivelit vendor. Dëmi ekonomik i shkaktuar në këto njësi vendore shkon në rreth 553 milionë lekë. Drejtuesit e KLSH-së, veç konstatimit të shpërdorimit të fondeve publike, më së pari synojnë që rekomandimet e tyre të jenë të zbatueshme nga institucionet që iu drejtohen, çka do të sillte një minimizim të dëmit. Osman Alushi, drejtor i Departamentit të Kontrollit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Administrimit dhe Privatizimit të Pronës Publike në KLSH, në një intervistë për “standard” tregon mbi rezultatet e kontrolleve të ushtruara gjatë vitit 2008. Sektorët më problematikë, ku shkeljet janë më flagrante në kontrollet e vendorëve mbeten prokurimet publike, urbanistika, shpërblimet dhe shpenzimet. Ajo që Alushi thekson është se KLSH synon të rrisë nivelin e zbatueshmërisë së rekomandimeve që jep tek institucionet. Sipas Alushit, zbatimi i rekomandimeve të KLSH-së do të thotë rikthim të fondeve të buxhetit të shtetit nga institucionet që i kanë shpërdoruar. Kjo, - thotë Alushi, - është prioritet i punës së KLSH-së. Ai nënvizon se për sa i përket kësaj çështjeje, ka një përmirësim në reagimin e institucioneve apo objekteve që janë kontrolluar, për të zbatuar rekomandimet e KLSH-së.
Cilat janë shkeljet e konstatuara në kontrollet e ushtruara nga departamenti juaj, si janë përdorur paratë e taksapaguesve nga pushteti vendor?
-Departamenti që unë drejtoj, është Departamenti i Kontrollit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Administrimit dhe Privatizimit të Pronës Publike. Në përbërje të tij gjatë vitit 2008 ka pasur gjithsej 43 kontrollorë, nga të cilat një kryekontrollor dhe dy përgjegjës sektori. Departamenti funksionon në mënyrë të tillë, që ka tre zyra rajonale, në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër. Gjatë vitit 2008, si departament kemi pasur të planifikuar 57 kontrolle dhe kemi realizuar 84, nga të cilat kontrolle të mbyllura janë 60. Nisur nga emri që ka ky departament, duhet thënë se prioritet kryesor ka qenë kontrolli i zbatimit të buxhetit, ku përveç njësive të qeverisjes vendore, unë kam pasur dhe dy institucioneve kryesore, për të kontrolluar buxhetin, të cilat janë Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë. Të dy këto kontrolle janë bërë në funksion të raportit që paraqet Kontrolli i Lartë i Shtetit për zbatimin e buxhetit të shtetit. Kontrolle të tjera i përkasin njësive të qeverisjes vendore që janë përqendruar në 18 bashki, 12 komuna, 8 Këshilla Qarqesh, 3 Prefektura dhe pjesa tjetër janë Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe disa institucione të tjera të nivelit vendor.
Në çfarë vlere llogaritet dëmi ekonomik në shkeljet e konstatuara nga kontrollorët tuaj në këto institucione?
-Dëmi ekonomik llogaritet në vlerën 553.417.000 lekë. Këto shkelje janë rekomanduar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që të kthen në masën 100 për qind.
Sa është numri i kallëzimeve penale që keni bërë gjatë periudhës që sapo është mbyllur?
-Ne si departament kemi bërë 12 kallëzime penale, për 52 persona, të cilët janë në ndjekje nga organi i akuzës.
Thatë se keni mbyllur për vitin 208 rreth 60 kontrolle. Nga këto kontrolle, ku janë konstatuar shkeljet më evidente, në cilët sektorë dhe në cilët zëra?
-Padyshim shkeljet më të mëdha janë në fushën e prokurimeve publike, të cilat zënë 30-35 për qind të dëmit, ose në shifër absolute 195.779.000 lekë. Në fushën e urbanistikës që është 27.7 për qind ose 153.737.000 lekë. Shkelje janë konstatuar edhe në sistemin e pagave dhe fushën e shpërblimeve në 23 milionë lekë. Në zërin e shpenzimeve operative dëmi është në vlerën e 11 milionë lekëve.
Thatë që operoni në gjithë Shqipërinë nëpërmjet 3 rajoneve, cilat prej tyre kanë rezultuar me shkeljet më të rënda dhe dëmin më të madh?
-Nuk mund t’i ndajmë në një mënyrë të tillë, pasi secili nga rajonet ka problematikën e vet, por mund të themi se në secilin prej tyre ka pasur probleme. E rëndësishme për KLSH-në është që problemet që konstatohen nga kontrollorët tanë dhe rekomandimet që ne japim qoftë në fushën e përmirësimeve ligjore, në fushën e zhdëmtimeve, apo në masave disiplinore për të përmirësuar punën të pranohen dhe të zbatohen. Nga shumica e këtyre subjekteve rekomandimet tona janë pranuar dhe ka filluar zbatimi i tyre. Mund t’ju them se në sapo kemi përfunduar kontrollin në 55 subjekte të kontrolluara gjatë vitit 2008, mbi verifikimin e zbatimit të rekomandimeve që ne u kemi dërguar dhe na ka rezultuar që nga këto subjekte gati 90 për qind e tyre kanë zbatuar rekomandimet të KLSH-së. Kjo do të thotë që niveli profesional i departamentit që unë drejtoj, me mbështetjen edhe të disa zyrave që kalojnë materialet e kontrollit, kanë qenë cilësore dhe të pranueshme nga ato, për ato çka kemi thënë ne. Sigurisht që jo të gjitha rekomandimet pranohen, por në disa bashki kryesore ne kemi pasur një reagim jashtëzakonisht të mirë. Mund të përmend se Bashkia Shkodër ka zbatuar rreth 90 për qind të rekomandimeve tona, po e njëjta gjë ka ndodhur dhe me Bashkinë e Elbasanit e cila pothuajse i ka plotësuar rekomandimet 100 për qind.
Po Bashkia e Tiranës, që ka “pjesën e luanit” nga fondet e buxheti të shtetit, si rezulton në kontrollet tuaja për vitin 2008?
-Bashkia e Tiranës për vitin 2008 nuk ka qenë e planifikuar për t’u kontrolluar. Në vitin 2009 ajo është planifikuar të kontrollohet në 3-mujorin e tretë. Sigurisht që ajo ka “pjesën e luanit” dhe do kohë të kontrollohet. Ajo do kontrollet brenda këtij vit, pasi është pamundur të arrihet kontrolli i gjithë bashkive brenda një viti.
Departamenti juaj ka objekt kontrolli proceset e privatizimit të pronës publike. Ju thatë se do të bëhet efektive gjatë vitit 2009. Çfarë do të keni objekt të kontrolleve?
-Për vitin 2009 ne kemi parashikuar tre kontrolle për sa i përket administrimit dhe privatizimit të pronës publike, që kanë të bëjnë me dispozitat ligjore për dhënin me koncesion të TEC-eve, si dhe zbatimin e kontratave të tyre. Pjesa tjetër, ne kemi parashikuar kontrollin e dispozitave ligjore për shitjen e pronës publike dhe zbatimin e kontratave, pra për objektet të cilat qeveria i ka shitur ose i ka dhënë me qira gjatë vitit 2008 ose më parë, objekte të cilat nuk janë parë akoma nga ne. Objekt kontrolli do të jenë përveç TEC-eve, shitjet dhe objektet që po privatizon qeveria hap pas hapi, përfshirë këtu edhe HEC-et vendore që janë dhënë me koncesion. Pra për këto objekte do të ketë kontrolle të kombinuara, pasi do të shohim në tërësi platformën e privatizimit, cilat janë efekt e kësaj platforme dhe sa ka përfituar shoqëria shqiptare nga ky privatizim. Objekt kontrolli do të jenë kontratat, zbatueshmëria e tyre si dhe eficenca që ato japin.
Sektori i regjistrimit të pasurive të paluajtshme gjatë vitit 2008 ishte objekt kontrolli nga ju. Në shumicën e rasteve u konstatuan shkelje të rënda. Ju dhatë shumë rekomandime. Si ka ecur zbatueshmëria e tyre dhe a vazhdon ky sektor të jetë problematik?
-Në këtë fushë në vitin që kaloi kemi bërë disa kontrolle që kanë qenë të veçanta. Kanë qenë 8 kontrolle në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe jemi në proces kontrolli në Komisionin e Kthimit të Pronave. Ajo që ne ka rënë në sy gjatë kësaj periudhe kontrollesh, është moszbatimi i dispozitave ligjore nga subjektet. Këtu nuk është çështje se mungojnë dispozitat ligjore, problemi është se nuk zbatohen. Një nga pikat nevralgjike që kohët e fundit është stabilizuar është lëvizja e punonjësve, e cila është një gangrenë që sjell probleme. Në kohën që ne bëmë kontroll në ZRPP-në e Tiranës, kemi trajtuar një sërë problemesh dhe kemi dhënë shumë rekomandime. Mund t’ju them se nga zyra e regjistrimit janë marrë parasysh, por në mënyrë të veçantë nga ana e kryeregjistruesit të Republikës, Arben Qrjako, është marrë seriozisht zbatimi i rekomandimeve tona. Ne kemi propozuar disa sugjerime edhe përmirësime ligjore, të cilat janë pranuar nga ata dhe tani janë në fazën e përfundimit dhe të gjitha rekomandimet që janë dhënë nga ana jonë janë pranuar dhe janë nxjerrë urdhrat nga kryeregjistruesi për zbatim tek zyrat vendore. Kjo është një premisë shumë e mirë për përmirësimin e punës në të ardhmen. Të shpresojmë që kur të na vijë radha për të kontrolluar këto subjekte, të mos konstatojmë shkelje të asaj natyre që kemi hasur më parë.