Prezantohet misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet

Vendoret e 8 majit 2011
Është prezantuar ditën e djeshme përpara mediave misioni i OSBE/ODIHR-it i cili do të vëzhgojë zgjedhjet vendore të 8 majit për plot 8 javë në Shqipëri.. Këshilltari i lartë zgjedhor pranë zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut në Varshavë dhe njëkohësisht edhe kreu i vëzhguesve Jonathan Stonestreet theksoi se 4 nëntor OSBE/ODIHR-i ka marrë një ftesë nga qeveria shqiptare për të vëzhguar zgjedhjet vendore, ftesë e cila u pranua dhe në këtë kuadër u vendos që të vinte një mision i plotë dhe afatgjatë në Shqipëri.
Ai tha se vëzhguesit që do të monitorojnë zgjedhjet, por edhe procesin paraelektoral do të jenë analistë të fushave të ndryshme. Stonestreet bëri me dije se në mision bëjnë pjesë 39 vëzhgues afatgjatë, ndërkohë që 400 vëzhgues do të jenë me mision afatshkurtër dhe do të marrin pjesë në monitorimin e zgjedhjeve të 8 majit, si në procesin e votimit dhe atë të numërimit të votave. “Do formojmë 39 ekipe vëzhguesish”, tha Stonestreet, duke bërë me dije se 39 vëzhgues afatgjatë do vëzhgojnë procesin parazgjedhor.
Stonestreet bëri me dije se në axhendën e misionit të vëzhguesve afatgjatë është takimi me përfaqësues të qeverisë qendrore, përfaqësues vendore në 384 njësitë e qeverive vendore si dhe takime me liderët politikë dhe përfaqësues të medias.
Ai deklaroi se vëzhguesit do të hartojnë dy raporte të parakohshme, që do të botohen në faqen zyrtare të OSBE-së para zgjedhjeve të 8 majit dhe një raport përfundimtar që do të bëhet publik pas zgjedhjeve vendore. Ai gjithashtu theksoi se misioni i vëzhguesve nuk do të monitorojë vetëm procesin zgjedhor por edhe median dhe sidomos transmetuesin publik. Stonestreet apeloi që “Partitë politike duhet të sillen në mënyrë të përgjegjshme gjatë dhe pas fushatës elektorale, duke e argumentuar këtë me faktin e vetëm, për interesin e Shqipërisë”.
Ai nënvizoi se në qendër të vëzhgimit do të jetë çështja se si partitë do të zbatojnë rekomandimet e OSBE-së të bëra pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës, sjelljet politike dhe bashkëpunimi mes partive.
Sipas Stonestreet procesi i lirë dhe i ndershëm zgjedhor varet nga gatishmëria e faktorëve politikë. “Situata politike ka ndikim në zgjedhjet vendore dhe do të shohim si do të jetë ky reflektim dhe do t’i pasqyrojmë ato në raportet tona”, theksoi Stonestreet.