Prezantohet raporti mbi reformën zgjedhore

Instituti për Politika Zhvillimore organizoi sot një tryezë, ku u prezantua punimi mbi reformën zgjedhore në Kosovë i përgatitur nga ky institut me mbështetjen e Safer World.
Pjesëmarrësit në këtë tryezë, përmendën të gjitha problemet e zgjedhjeve të kaluara, ku theks i veçantë iu kushtua reformës zgjedhore, e cila tashmë ka ngecur për shkak të mospajtimit të subjekteve politike.
Në analizën e bërë nga Instituti për Politika Zhvillimore, theksohen mangësitë gjatë procesit të zgjedhjeve paraprake që janë zhvilluar në Kosovë.
Përfaqësuesi i Safer World, Astrit Istrefi, përmendi disa nga mangësitë që tashmë janë të njohura për opinionin publik. Ai tha se nuk janë më organizatat ndërkombëtare ato që duhet ta mbrojnë votën e qytetarit, por janë institucionet vendore që duhet ta bëjnë këtë punë.
“Çështja është se çfarë prodhojnë zgjedhjet, efekti, implikimet për të ardhmen. Këtu bëhet fjalë për uljen e nivelit të papunësisë, vjen në shprehje llogaridhënia, transparenca, korrupsioni, zhvillimi ekonomik e shumë çështje të tjera që premtojnë. Do të ishte gabim dhe vazhdon të përsëritet i njëjti gabim, kur pritet nga organizatat ndërkombëtare OSBE, dhe mekanizmat e tjerë, që ta mbrojnë e ta sigurojnë një proces të lirë, të drejtë e demokratik të zgjedhjeve. Kjo duhet të jetë përgjegjësi politike, institucionale e qytetare, që gabimet e mëparshme të mospërsëriten kurrë”, tha Istrefi.
Ish kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli, përmendi disa nga vështirësitë që kanë hasur gjatë këtij procesi. Ai tha se komisioni ka identifikuar 14 grupe të problemeve që janë paraqitur në ligjin ekzistues.
“Njërin nga problemet kryesore e kemi parë listën e votuesve, që ka krijuar mundësi të keqpërdorimit. Problemi i dytë ishte identifikimi i vet votuesve, sepse mënyra e përdorimit të llampave ultravioletë ka dështuar në shumë vende. Problem tjetër është procesi i numërimit, sepse gjatë numërimit ka pasur keqpërdorime, gjithashtu edhe brenda subjekteve politike. Një problem që nuk ishte i sferës sonë ishte edhe ndëshkimi. Njëzëri kemi qenë që gjykatat tona kanë qenë jashtëzakonisht të buta, nuk kanë zbatuar një politikë ndëshkimore ndaj kryerësve të këtyre veprave penale”, tha Demolli.
Në analizën e publikuar nga Instituti për Politika Zhvillimore, është theksuar edhe gjendja në veri të vendit. Në analizë, thuhet se nuk ka pasur ndryshime në rregullimin e organizimit të zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës. Një situatë e tillë nuk garanton zgjedhje gjithpërfshirëse për Kosovën, por kjo çështje duhet të zgjidhet me vullnet politik, duke u zbatuar ligji në tërë territorin e vendit, thuhet në analizën e këtij instituti./Indeksonline/