Qeveria e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve me arbëreshët e Italisë

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri priti në takim Zëvendësministrin e jashtëm të Shqipërisë Kreshnik Çollaku dhe studiuesin dhe priftin e shquar arbëreshë, Antonio Belushin, pjesëmarrës në manifestimet e javës së tolerancës në Republikën e Kosovës.
Në takim u bisedua për gjendjen dhe progresin e përgjithshëm në të dyja shtetet, Kosovë dhe Shqipëri si dhe angazhimet e përbashkëta për të forcuar marrëdhëniet me arbëreshët e Italisë.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri theksoi me këtë rast se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Shqipërinë në planin kombëtar dhe shtetëror si dhe për të jetësuar vizionin euro-atlantik të cilës kombi shqiptar i takon tradicionalisht.
Ajo po ashtu theksoi angazhimin e Qeverisë për të forcuar lidhjet me diasporën shqiptare me qëllim të ruajtjes së identitetit kombëtar duke potencuar veçmas se është impresive se si arbëreshët e Italisë kanë arritur të ruajnë dhe kultivojnë identitetin e tyre shqiptar ndër shekuj.
Ajo tha se “Gjaku i shprishur” me të cilin titullohet vepra e studiuesit dhe priftit të shquar arbëreshë Antonio Belushit flet më së mirë se dinjitetit dhe integriteti i kombit shqiptar është mbrojtur fal origjinës dhe virtyteve të popullit shqiptar që janë të njohura universalisht.
Zëvendësministri i jashtëm i Shqipërisë Kreshnik Çollaku duke shprehur kënaqësinë për takimin theksoi se Shqipëria është e angazhuar për të ofruar gjithë përkrahjen për forcimin e shtetit të Kosovës, si në rrugën e integrimeve euro-atlantike ashtu edhe në rritjen e numrit të njohjeve.
Studiuesi dhe udhëheqësi shpirtëror i arbëresheve të Italisë, Antonio Belushi, theksoi rëndësinë e përkrahjes më të madhe për arbëreshët e Italisë nga ana e Shqipërisë dhe Kosovës, ndër tjerash, përmes intensifikimit të bashkëpunimit dhe sidomos duke ofruar mundësi të shkollimit të të rinjve arbëresh në Kosovë dhe Shqipëri./Indeksonline/