E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet studimi demografik shëndetësor

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, vlerësoi se "për herë të parë kemi në dorë një punë të thelluar, të mbështetur mbi kritere të forta shkencore dhe profesionale, që fotografon objektivisht situatën ashtu sikurse paraqitet".

Sipas tij, "të dhënat e studimit ndihmojnë dhe orientojnë që shëndetësia dhe veprimet në të të mos jenë empirike, por që gjithnjë e më shumë qasja e problemeve të shkojë drejt zgjidhjeve konkrete, pasi situata konkrete e imponon këtë".

"Përfundimisht ne hyjmë në këtë mënyrë në rrugën e një shëndetësie, e cila zbaton gjëra të thjeshta dhe reforma të mëdha, bazuar mbi tregues të vërtetë", theksoi Vasili, duke vënë në dukje se Shqipëria ka vuajtur shumë nga treguesit e përafruar, jo gjithmonë të saktë, të cilët çorientojnë veprimin konkret. Një studim i kësaj natyre, sipas tij, i parë në mënyrë integrale, jep fotografinë mjaft të mirë të sistemit dhe mundëson që nëse duam të ndërhyjmë fort, kemi arsye për ta bërë këtë.

"Njëkohësisht, studimi jep mundësi që të orientohemi drejt një përforcimi shëndetësor gjithnjë e më shumë kriterial, i cili shkon në zemër të problemit", tha ministri i Shëndetësisë. "Përfundimisht, veprimtaria shkencore në shëndetësi do të orientohet drejt çështjeve të mëdha që kërkojnë përgjigje për realitetin shqiptar", tha ministri Vasili, duke theksuar se "ky studim tregon se Qeveria shqiptare është e orientuar fortësisht dhe në mënyrë solide drejt studimeve me themel, që nuk zbukurojnë dhe as shëmtojnë realitetin, por e fotografojnë ashtu siç është, në mënyrë profesionale".

Studimi mbështetet në të dhënat e mbledhura nga një kampion familjesh, përfaqësues i të gjithë popullatës. Në këtë studim, i kryer përgjatë periudhës tetor 2008-prill 2009, u intervistuan 8994 familje, 7584 femra dhe 3013 meshkuj të moshës 15-49 vjeç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›