E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezanton tetë magjistratë në Gjykatën e Tiranës

Autori i Lajmit: red.
Prezantohen tetë magjistratë në Gjykatën e Tiranës. Punësimi i gjyqtarëve të rinj është një ndër hapat për rinovimin e gjyqësorit në vend. Prezantimi i tyre është bërë dje nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Gjatë takimit numri dy i KLD-së është shprehur kundër vendimit të Gjykatës së Lartë për kthimin në punë të tre gjyqtarëve të çështjes “Delijorgji”. Nenkryetari i KLD-se, Kreshnik Spahiu, tha se ky institucion është i bindur në drejtësinë e vendimit për shkarkimin e 3 gjyqtarëve dhe vendimi për ankimim është në shërbim të kësaj bindjeje dhe jo një kundërvënie ndaj veprimeve juridike të Gjykatës së Lartë. "Natyrisht që respektojmë çdo vendim të Gjykatës së Lartë, por do të thoja që ky vendim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e tre gjyqtarëve, të cilët liruan Delijorgjin, është një vendim i drejtë, një vendim i ligjshëm, një vendim kolegjial, dhe natyrisht vendimi i Gjykatës së Lartë nuk do të cenojë këtë vendim, pasi shumë shpejt kjo mosmarrëveshje juridike, ligjore do të transferohet në Gjykatën Kushtetuese ku beteja ligjore mes KLD dhe Gjykatës së Lartë, pa dyshim, është e sigurt në favor të KLD-së, pasi Gjykata Kushtetuese ka interpretuar dy herë mosmarrëveshje të ngjashme për këtë çështje, dhe të dyja, pa dyshim, janë interpretuar në favor të KLD-së", - tha Spahiu.
Baza ligjore
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, prezantoi dje në ambientet e Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, tetë kandidatët për magjistratë. Këta të fundit, me vendimin e datës 24.12.2008 u propozuan për të kryer stazhin profesional si gjyqtarë pranë kësaj gjykate. Emërimi i tyre, në zbatim të dekretit Nr.5992, datë 07.01.2009 të Presidentit të Republikës, ka konfirmuar propozimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili në unanimitet dhe në ndryshim nga praktikat e mëparshme, mundëson fillimin e ushtrimit të veprimtarisë gjyqësore për tetë kandidatët për magjistratë, në gjykatën e rrethit më të madh gjyqësor të vendit. Rëndësia e kësaj vendimmarrjeje u pa e lidhur me ngarkesën e lartë të punës dhe shumëllojshmërinë e çështjeve gjyqësore që ofron Gjykata e Shkallës së Parë të kryeqytetit, dhe që u vlerësua nga Këshilli se i shërben formimit profesional të magjistratëve gjyqtarë.
Prezantimi
Prezantimi i kandidatëve për magjistratë u bë nga tre anëtarë të Këshillit, kryesuar nga zëvendëskryetari Kreshnik Spahiu, në praninë e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Ristani, dhe të kryetarit të Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, Albert Meçe. Gjatë këtij prezantimi, përfaqësuesit e organit qeverisës të gjyqësorit u komunikuan magjistratëve rëndësinë e misionit të tyre në drejtësi, vlerësimin e lartë për nivelin profesional që gjyqtarët magjistratë kanë dëshmuar të kenë sjellë në sistemin gjyqësor, si edhe vëmendjen e posaçme që Këshilli i Lartë i Drejtësisë vazhdon t i kushtojë këtij investimi të rëndësishëm për dhënien e drejtësisë. Në fillim të detyrës së tyre, tetë magjistratët u siguruan për predispozitën maksimale të drejtuesit të Gjykatës së rrethit Tiranë, si në drejtim të sigurimit të infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e detyrës, ashtu edhe në vëmendjen për përfshirjen e tyre në çështje të shumëllojshme dhe të përshtatshme për stadin e formimit të tyre profesional. Vendimet e tetë magjistratëve do t i nënshtrohen si kontrollit të brendshëm gjyqësor, ashtu edhe shqyrtimit nga Këshilli Pedagogjik i Shkollës së Magjistraturës, për efekt të vlerësimit të tyre përfundimtar.
Ky lajm është publikuar: 13/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›