E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: Kemi gjobitur lokalet e zhurmshme

Kreu i policisë bashkiake të Tiranës thotë që lokalet marrin gjoba por klientët nuk mund të nxirren se krijohen incidente



TIRANË- Një natë e zhurmshme në Tiranë i kushton një lokali një milion lekë të vjetra. Kaq është shuma e gjobës që vendoset nga policia bashkiake për lokalet që tejkalojnë limitet e zhurmës, gjithmonë nëse ato kapen. Por kjo shumë mund të quhet e papërfillshme për një lokal që bën një xhiro nga 14 deri në 18 milionë lekë të vjetra në natë. Të bindur për zhurmën e shkaktuar dhe të informuar për ankesat e shumta të qytetarëve, policia bashkiake thotë se gjobitja është maksimumi i saj.

"Jemi në dijeni të ankesave të qytetarëve. Edhe ne na kanë ardhur dhjetëra ankesa të ndryshme nga qytetarët. Situata në këto lokale është e tillë: asnjë prej tyre nuk është i pajisur me licencë "non stop" për të qëndruar hapur tërë natën dhe jo më për të bërë zhurmë. Problemi është se ato e bëjnë",- thotë për "Shekullin" kreu i policisë ndërtimore të kryeqytetit, Ndrec Deda. Ai shpjegon se lejet për lokalet "non stop" kanë kohë që nuk jepen. Nga ana tjetër, lokalet janë hapur çdo fundjavë dhe muzika e tyre dëgjohet fuqishëm edhe më shumë se 100 metra larg.

Për secilin rast që policia bashkiake konstaton se janë tejkaluar normat e zërit ndërhyn duke vënë gjobë por vetëm kaq. "Kemi vënë shumë gjoba nga një milion lekë të vjetra. Kur bëhen shqetësuese për banorët ne shkojmë dhe pasi verifikojmë zhurmat vendosim gjobat përkatëse. Në disa raste përdorin taktika të tjera që sapo vjen policia bashkiake lokalet ulin zërin për ta ngritur prapë kur ikën policia",- tha Deda.

Ai shpjegon se policia bashkiake ka edhe mundësi që të mbyllë lokalin por kjo praktikisht është pothuajse e pamundur. Kjo për faktin që në lokal ndodhen qindra ose në disa raste edhe më shumë se njëmijë njerëz. Nëse ata nxirren jashtë do të lindte ndonjë konflikt ose incident i papëlqyeshëm për asnjë nga palët. "Ne vëmë gjoba ose kërkojmë të ulin zërin por për të mbyllur lokalin është e vështirë. Janë shumë njerëz brenda dhe duhet të zihesh me ta për t'i nxjerrë jashtë. Na ndodh që hyjmë në ndonjë lokal dhe aty ka shumë ministra, deputetë e politikanë. Ne nuk mund të nxjerrim jashtë njerëzit me imunitet",- thotë Ndrec Deda. Sipas tij, ankesat më të shumta janë gjatë fundjavës por ka raste që ende në mesjavë zhurmat e lokaleve të natës bëhen shqetësuese për banorët.

Gjoba kemi vënë. Vendosëm rregull, por tani e ngrenë zërin.
Kemi vënë gjoba shpesh, një milion. Leje për "non stop" nuk kanë. Kur bëhen shqetësuese për banorët duhet të mbyllen por nuk nxjerrin dot njerëzit jashtë sepse zihemi. Mbrëmë patëm shumë ankesa. Ankesa tek unë në telefon privat. Policia shkon shpesh dhe ata ulin zërin por kohët e fundit janë bërë shumë problematikë. Ne nuk kemi mundësi t'i nxjerrim sepse janë vipa,

Monitorimi, zonat më të ndotura nga zhurmat

Sipas monitorimit më të fundit për zhurmat, ndotja akustike, në shumë pika të qyteteve rezulton mbi normat e lejuara nga Bashkimi Evropian. Kështu, Tirana, ndotjen akustike nuk e shënon vetëm në zonën e ish-Bllokut, ku zhurmat të ofrohen ditën dhe natën, por edhe në zona të tjera. Kulmi i zhurmave arrihet në zonën e Laprakës, me 73,8 dB (decibel) gjatë ditës, ndërkohë që normat e lejuara, sipas BE-së, duhet të jetë 55 dB ditën. Zona e dytë më e zhurmshme në kryeqytet është "Stacioni i Trenit", me 73,3 dB dhe vendin e tretë, sipas monitorimit, e zë kryqëzimi te "Selvia", me 72 dB.

ISHP: Sa të bezdisur janë qytetarët nga zhurmat

Instituti i Shëndetit Publik mori në studim 275 familje në zonat më problematike nga zhurmat në qytetin e Tiranës. Në fakt, rezultatet dolën problematike, pasi pjesa më e madhe e banorëve ankohen nga zhurmat. "Ky studim tregoi se përqindja e popullatës së bezdisur nga zhurmat ishte 44 për qind, ndërsa përqindja e popullatës së bezdisur ishte 28 për qind dhe më alarmantja është se përqindja e popullatës me çrregullime të gjumit ishte 50 për qind",- bëhet e ditur në raportin e ISHP-së, duke shtuar se këto të dhëna janë shumë problematike dhe ndikojnë negativisht mbi shëndetin e popullatës.

275 familje janë marrë në studim në zonat më problematike nga zhurmat në qytetin e Tiranës

50 për qind e banorëve ankohen se vuajnë nga pagjumësia, për shkak të zhurmave, sipas ISHP-së

44 për qind e banorëve ankohen se janë shumë të bezdisur nga zhurmat, sipas ISHP-së

28 për qind e banorëve ankohen se janë të bezdisur nga zhurmat, sipas studimit të ISHP-së

Sipas specialistit të ISHP-së, Cicolli, zhurmat shkaktojnë nervozizëm, stres dhe deri në shurdhim, kur janë të forta



Specialistët: Zhurmat, ja pasojat mbi shëndetin

Nervozizëm, deri në shurdhim për zhurma shumë të forta. Këto janë pasojat ekstreme që shkaktojnë zhurmat. "Zhurmat, padyshim kanë efekte negative mbi shëndetin", - thotë specialisti i ISHP-së, Arti Cicolli. Sipas tij, zhurmat e theksuara dhe të vazhdueshme ndikojnë mbi shëndetin mendor dhe shkaktojnë efekte psikofiziologjike. Ndërkohë, zhurmat gjatë natës, sipas tij, tashmë të shtuara, ndikojnë në prishjen e gjumit, duke shkaktuar probleme për njerëzit. "Zhurmat, në shumë raste shkaktojnë edhe efekte mbi sjelljet me fqinjët dhe reagime patologjie", - thekson ai.

Por, ajo që është më e dukshme, sipas tij, është se për shkak të zhurmave tej normave të lejuara mund të shkaktohet edhe shurdhim. Të ndodhur përballë këtij fakti, ai thekson se duhen marrë masa emergjente për t'i ardhur në ndihmë popullatës. "Kur shfaqet një risk që vë në rrezik shëndetin e popullatës, duhet të merren masa urgjente për mbrojtjen e shëndetit publik", - theksoi Cicolli, duke shtuar se masat për reduktimin e zhurmës në burim duhet të merren sa herë që është e qartë se mund të realizohet. Ndërkohe, ai theksoi se është e nevojshme fusha juridike e zhurmave, pasi mungon një ligj për ndotjen akustike. Sipas tij, duhet të vihet në zbatim një program me faza mbi reduktimin e zhurmës, sidomos në ambiente specifike, si shkolla, banesat, spitalet etj. e. bardhi


Policia: Bashkia merret me lokalet e natës

Ndotja akustike vazhdon akoma të jetë në nivele të larta në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera në Shqipëri. Shumë qytetarë ankohen për nivelin e lartë të zhurmës të krijuar sidomos nga muzika e lartë në lokalet e natës. Por pavarësisht kësaj situate dhe shqetësimeve të vazhdueshme të banorëve të kryeqytetit, eliminimi i zhurmave mbetet problematik për sa i përket ndërhyrjes së strukturave të Policisë së Tiranës për të marrë masa ndëshkuese ndaj lokaleve që nuk respektojnë normat e ndotjes akustike dhe orarin e veprimtarisë së tyre.

Policia shfajësohet se vendosja e masave ndëshkuese për të gjitha llojet e bizneseve që krijojnë ndotje akustike është në kompetencë të Policisë Bashkiake, ndërsa roli i saj mbetet vetëm mbështes për të shmangur incidentet e mundshme. Për nivelin e lartë të ndotjes akustike në kryeqytet, sidomos në zonën e ish- Bllokut ka patur ankesa dhe nga përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Burime zyrtare nga Avokati i Popullit pohuan për "Shekullin", se një diplomat i huaj është ankuar pranë këtij institucioni për zhurmat e lokaleve të natës, në Rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit". Ankuesit kanë paraqitur pretendimet e tyre se nga ushtrimi i aktiviteteve të lokaleve deri në orët e vona të natës, sidomos në fundjavë, volumi i muzikës ngrihet jashtë çdo norme, duke e bërë qëndrimin në banesë sipas banorëve jo normal.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›