E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Analiza Edi Rames per droge. PS: Kemi gjetur pasuri te tjera

21/07/2010 Ministri i Ekonomisë i përgjigjet akuzave të socialistë për vilën në Lundër

“ILDK të më hetojë pasurinë”

Dritan Prifti sfidon Edi Ramën: Të na tregojë që nuk konsumon drogë

Ministri i Ekonomisë, Turizmit dhe Energjetikës, Dritan Prifti, hodhi poshtë akuzat dhe shpifjet e Partisë Socialiste për pasurinë e tij dhe ftoi kryesocialistin Edi Rama të vërtetojë që nuk përdor lëndë narkotike. Duke iu referuar artikullit të para dy ditëve të gazetës së PS-së, ku publikohej se ministri Prifti kishte në Londër një vilë 1 milion euro, një tjetër pronë kjo e padeklaruar, për të cilën ministri i Ekonomisë deklaroi se “e them me përgjegjësi të plotë, morale, ligjore e politike, as kam, as kam pasur dhe as kam në plan të kem ndonjë vilë këtu ku thonë këta, e aq më shumë të padeklaruar në deklaratën time të pasurisë. Pra, është thjesht shpifja e radhës, shpifje, për të cilën unë sot kam autorizuar avokatin tim, që të mbledhë dhe të gjitha shpifjet e ditëve të fundit të “Zërit të Popullit dhe të përfaqësuesve të PS, të bëjë kallëzim penal për shpifje në institucionet e shtetit ligjor”. Duke iu referuar akuzave të PS-së dhe liderit të opozitës Rama, Prifti nënvizoi se ndihet i çuditur që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive deri tani nuk ka bërë asnjë lloj deklarate në lidhje me gjithë këto shpifje. Në këtë kontekst ministri Prifti ftoi ILDKP-në të hetojë sa më shpejt pasurinë e tij të vënë gjatë gjithë viteve. Ai kërkoi po ashtu që ILDKP të verifikojë dhe të informojë sa më shpejt publikun, si zëri i pavarur dhe i së vërtetës, që shpifjet, si kjo e publikuar më së fundmi të marrin fund. Ai dha shpjegime për zotërimin e disa aksioneve në një kompani private, të cilat i ka shitur në momentin kur iu besua posti i zyrtarit të lartë, pasi aksionet private përbënin konflikt interesi. Ndër të tjera ai vijoi akuzat ndaj Ramës, duke ripërsëritur faktin se e ka parë me sytë e tij duke përdorur kokainë, ndërkohë që sipas Priftit, kreu i PS akoma nuk ka dhënë një përgjigje. Pikërisht lidhur me këto fakte ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i hapi një tjetër sfidë kundërshtarit të tij Rama, ku i kërkoi këtij të fundit të bëjnë publikisht analizat e gjakut dhe analizat e flokut, të cilat tregojnë nëse ai ka qenë përdorues lëndësh narkotike dhe nëse ai vazhdon të jetë një i tillë. Prifti i bëri thirrje kryetarit të opozitës të respektojë shqiptarët, të respektojë të vërtetën, të ndalojë shantazhin, të ndalojë shpifjet dhe ti flasë popullit të vet vetëm të vërtetën, pikërisht atë që Rama ka një vit që e kërkon, transparencën.

PS zbardh të tjera fakte mbi pasurimin e ministrit Prifti

Partia Socialiste vijoi dhe dje të jetë e përqendruar te publikimi i të tjera fakteve për pasurimin e ministrit të ekonomisë Dritan Prifti. Në këtë mënyrë, tre drejtues të PS-së: deputetët Besnik Baraj, Ermonela Felaj dhe anëtarja e kryesisë Lindita Nikolla, denoncuan dje para Kryeministrisë skandalin “numër dy” të Ministrit. Ata denoncuan dy pasuri të tjera të Dritan Priftit me vlera miliona euro, duke i kërkuar Prokurorisë të hetojë. “Sot është publikuar një tjetër skandal për Dritan Priftin. Përveç 1.8 milion eurove të fituara si me magji në 3 muaj të vetëm si ministër i Sali Berishës, Dritan Prifti nuk ka deklaruar në deklaratën e pasurisë së tij një kat të tërë pallati me sipërfaqe 400 metra katrorë në një nga zonat më luksoze të Tiranë, si dhe një vilë që po ndërton në Lundër, vlera e së cilës llogaritet në mbi 1 milion euro. Këto janë përmasat skandaloze të korrupsionit të ministrit Prifti dhe qeverisë Berisha-Meta”, vlerësoi deputeti i PS-së Besnik Baraj gjatë publikimit të kësaj çështje. Nga ana e saj deputetja Ermonela Felaj i bëri thirrje Prokurorisë të mos heshtë, por të hetojë për këtë rast korruptiv. “Prokuroria dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë duhet të nisin menjëherë hetimet për aferën që e ka bërë milioner brenda natës ministrin e Ekonomisë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një fitim lotarie, por me një rast të qartë korrupsioni”, - u shpreh Felaj. Sipas saj, pretendimi se pa investuar asgjë Prifti jo vetëm që ka fituar miliona euro, por dhe nuk i detyrohet asgjë shteti shqiptar është skandaloz.

Lindita Nikolla

“Këto afera, ku janë përfshirë ministrat e LSI-së, tregon qartë se si funksionon korrupsioni në qeverinë Berisha. Dritan Prifti në një vit si ministër fitoi 2.5 miliardë lekë, në një kohë që ekonomia e vendit ka marrë të tatëpjetën dhe shqiptarët vuajnë përditë e më shumë vështirësitë ekonomike.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›