E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Energjia, ERE të mbrojë konsumatorët

Ministri: Jam i bindur se do të marr parasysh interesat e konsumatorëve dhe do marr vendimin më të mirë


TIRANË- Kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë elektrike duke filluar nga muaji janar i 2010-ës që OSSH i ka dërguar Entit Kombëtar të Energjisë është shoqëruar me indinjatë tek konsumatorët të cilët janë në pritje të vendimit që do merret. Në lidhje me këtë, ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka deklaruar se është e drejtë ekskluzive e ERE-s që të marrë një vendim për këtë çështje.


Megjithatë, Prifti i bëri thirrje ERE-s që në vendimin që do të marrë, të ketë në konsideratë interesat e konsumatorëve. "ERE duhet të mbrojë konsumatorët. Enti është një institucion i pavarur, por jam i bindur se do të marrë vendimin më të mirë", - tha dje ai gjatë prezantimit të Drejtorit të ri të KESH-it, Muharrem Stojku.


Më datë 30 Shtator, pronarët e rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes aplikuan pranë ERE-e për rritjen e çmimit të energjisë elektrike duke filluar që nga 1 Janari i vitit 2010. Deri më tani nuk ka asnjë prononcim zyrtar për masën e rritjes së OSSH-ja ka kërkuar, por burime pranë ERE-s bënë të ditur se bëhet fjalë për një shifër nga 20 deri në 23 për qind.


Pavarësisht rritjes që ka kërkuar OSSH-ja, institucion përgjegjës për çmimin e energjisë elektrike është Enti Kombëtar i Energjisë. Sipas procedurave, pas aplikimit për rritje çmimi, si fillim ERE vendos nëse ka të bëjë me një kërkesë të vlefshme duke shqyrtuar një serë dokumentesh, të cilat kanë të bëjnë me koston e prodhimit ose blerjes, atë të transmetimit tek konsumatorët dhe kosto të tjera. Më pas, ERE vendos për masën e rritjes duke u bazuar mbi këto të dhëna.


Për t'u theksuar është se për blerjen e OSSH-së Çekët e CEZ kërkuan edhe garantimin e kontratës nëpërmjet një kredie, e cila do t'i likuidohej atyre nga shteti shqiptar nëse ky i fundit do të shkelte ndonjë klauzole të kontratës, ku ndër të tjera parashikohej dhe rritja e çmimit të energjisë.


Nisur nga kjo, ERE ndodhet në një pozicion të vështirë gjatë shqyrtimit të kërkesës së OSSH-së për të vendosur në lidhje me masën që do të rritet çmimi. Nga një anë janë interesat e konsumatorëve, të cilët do të përballen me çmime më të larta të një serë mallrash të konsumit për shkak të rritjes së çmimit të energjisë ndërsa nga ana tjetër janë interesat e pronarëve të OSSH-së të cilët sigurisht që kanë investuar me qëllim përfitimi.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›