E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti i ujërave me Greqinë, Meta: Duhet ta zgjidhë Kuvendi

Meta përshëndeti rezultatin pozitiv, të dalë nga referendumi i irlandezëve mbi Traktatin e Lisbonës


TIRANË - Për Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, përgjegjësinë kryesore për ratifikimin e marrëveshjes së ujërave territorialë me shtetin fqinj, Greqinë, e ka Kuvendi. Edhe pse partia që ai drejton, e ka kundërshtuar me forcë miratimin e kësaj marrëveshjeje, para së të bëhej pjesë e qeverisjes, dje në një pozicion krejtësisht të ri politik, zv.


Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi se ratifikimi i marrëveshjes së ujërave territorialë me shtetin fqinj, është një çështje, që duhet ta zgjidhë Kuvendi. Në këtë konferencë, Meta përshëndeti edhe rezultatin pozitiv, të dalë nga referendumi i irlandezëve mbi Traktatin e Lisbonës.


Sipas Metës, kjo është një shenjë pozitive për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u hapur atyre rrugën për anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Evropian. "Qeveria shqiptare përshëndet rezultatin pozitiv, dalë nga referendumi i qytetarëve irlandezë mbi Traktatin e Lisbonës.


Ky është një lajm i shkëlqyer për Bashkimin Evropian dhe një zhvillim pozitiv për vendet e Ballkanit Perëndimor", - tha dje Meta. Ministri i Jashtëm vuri në dukje se zbatimi i Traktatit të Lisbonës, do të bëjë të mundur reformimin institucional dhe strukturor të Bashkimit Evropian.


"Implementimi i Traktatit të Lisbonës do të sjellë një epokë të re me reformimin e thellë institucional dhe strukturor të BE-së, si dhe do të hapë një perspektivë të qartë për zgjerimin e tij të mëtejshëm", - u shpreh ai.


Sipas Metës, Shqipëria është e interesuar për hyrjen sa më të shpejtë në fuqi të Traktatit, pasi kjo do të krijojë hapësirat e duhura që përqasja e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, të jetë më e konkretizuar dhe më e unifikuar.


Gjatë deklaratës, Meta tha se, procesi i ratifikimit të Traktatit të Lisbonës mund të kryhet edhe nga dy vende si Polonia e Çekia. Për marrjen e një vendimi nga ana e Çekisë, pritet të diskutohet dhe të trajtohet më gjerësisht gjatë vizitës, që do të kryejë sot Presidenti çek në Shqipëri.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›