Prifti: Gramoz Ruçi, 5 milionë euro për të blerë LSI në Fier
Nënkryetari i LSI-së, Dritran Prifti, artikuloi akuza të rënda ndaj Partisë Socialiste dhe kreut të listës së PS-së në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi, për manipulime të votave të LSI-së në këtë qark. Ai insistoi se nuk duhet në asnjë mënyrë një bashkëpunim me PS-së, pasi ajo ka harxhuar 5 milionë euro për të dëmtuar LSI-në në këto zgjedhje. Sipas tij, PS-ja ka harxhuar miliona euro për të shkatërruar votat e LSI-së në këtë qark, duke blerë anëtarësinë e saj. “Gramoz Ruçi na bleu një farë Albert Sanxhaku, kryetarin e bashkisë së Lushnjës me 1 milion euro, duke i bërë presion dhe shantazh me disa filmime në motele në Tiranë. Më pas na bleu dhe dy kandidatë të qarkut të Fierit. Pasi ka vjedhur me anë të ish-policëve të gjithë data base të LSI-së, ai mori kontakt me të gjithë strukturat e LSI-së në këtë qark, duke u afruar kryetarëve të organizatave tona nga 5 mijë euro. Ruçi hante dreka në qafën e Koshovicës me banditë, kriminelë dhe njerëz të dënuar për trafiqe femrash dhe droge”, u shpreh Prifti.