E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, dy shembuj për pikët

 

Ende nuk është vendosur afati i fundit për dorëzimin e formularit A2 në shkolla. Edhe pse në fakt APRIAL dhe MASH shkelën rregulloren e maturës, pasi i shpërndanë ata me vonesë, maturantët kanë ende kohe për të bërë zgjedhjen e duhur. Me anë të A2, ata duhet të listojnë 10 preferencat e tyre për degët e fakulteteve ku duan të kandidojnë. Por kujdes! Më parë duhet të dinë se ku kanë më shumë shanse për t’u pranuar. Këtë mund ta bëjnë vetëm duke llogaritur pikët që kanë grumbulluar me anë të komponentëve të Maturës Shtetërore. Formula është e njëjta që zbatohet që prej nisjes së këtij sistemi. Për ta konkretizuar më tej, gazeta publikon dy shembujt e hartuar nga specialistët e Ministrisë së Arsimit. Kjo skemë nuk do të vlejë për maturantët që kanë dhënë konkurse në Arkitekturë, Akademinë e Arteve dhe atë të Sporteve, pasi ata do të kualifikohen vetëm në bazë të konkursit. Kështu Formula e llogaritjes së pikëve është: ((D1 + D2 + M) x k1 + (T1 + T2) x k2) x 100 = X (në varësi të rezultatit që del). Sipas kësaj formule, M = mesatarja, D1 = provim i detyruar letërsia, D2 = provim i detyruar matematika, T1 = provim me zgjedhje 1, T2 = provim me zgjedhje 2, k1 = koeficienti sipas shkollës së kryer dhe k2 = koeficienti, sipas provimeve me zgjedhje. Pasi të llogariten pikët me këtë formulë, maturantët duhet të konsultojnë në faqen zyrtare të ministrisë pikët minimale për çdo program studimi që kanë bërë fitues, kandidatët e një viti më parë. Në këtë moment ata do kenë një ide se çfarë programe studimi duhet të zgjidhen brenda 10 të mundshmeve. Nga sa ka përcaktuar Ministria e Arsimit është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e preferencave. Ndryshe formulari A2 quhet i pavlefshëm. “Nëse nuk keni 10 preferenca, kutitë mund t’i plotësoni me tre 0”, sqaron ministria. Nëse do të ketë korrigjime në formular, gjithashtu maturanti do të humbë të drejtën për në shkollë të lartë.

SHEMBULL 1

Elsa  dëshiron të konkurrojë për programin e studimit Farmaci në Universitetin e Tiranës. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme të profilizuar në profilin natyror dhe ka notën mesatare të katër viteve M = 8.

Në dy provimet e detyruara ka këto rezultate:
1. Në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe D1 = 8.52
2. Në Matematikë D2 = 8.5

Ajo ka zgjedhur të japë si provime me zgjedhje lëndët Fizikë dhe Biologji, ku pretendon të marrë këto rezultate:
1. Në Fizikë Z1 = 9
2. Në Biologji Z2 = 8.7

Në Tabelën e koeficienteve, Elsa gjen se për programin e studimit Farmaci, profili natyror i shkollës së mesme e ka koeficientin Ksh = 1.4.

Në këtë rast, Elsa do të bëjë këto llogaritje:

[D1(nota në Gjuhë Letërsi) +D2 (nota në Matematikë) + M (Nota mesatare e shkollës së mesme)] x Ksh (koeficienti i shkollës) = (8.52 + 8.5 + 8) x 1.4 = 25.02 x 1.4 = 32.20

Në tabelën e koeficienteve, Elsa gjen se për provimet me zgjedhje koeficientet janë:
Për lëndën Fizikë K1 = 1.3. për lëndën Biologji K2 = 1.3.

Në këtë rast, Elsa do të bëjë këto llogaritje:
Z1 (nota në Fizikë) x K1 (koeficienti për Fizikën) + Z2 (nota në Biologji) x K2 (koeficienti për Biologjinë) = 9 x 1.3 + 8.7 x 1.3 = 11.7 + 11.31 = 23.01
Elsa mbledh dy rezultatet e gjetura: 32.20 + 23.01 = 55.21. Këtë rezultat e shumëzon me 100 dhe merr 5521.0 pikë.
Pra Elsa  është në kuotën e 5500 pikëve.
Dëshira e Elsës është të ndjekë programin e studimit Farmaci.
Nga tabela e fituesve të fundit, të vitit të kaluar, Drita shikon se fituesi i fundit në Farmaci është me 5799.3 pikë. Në këtë rast, vendosja e programit të studimit Farmaci si preferencë e parë, do të thotë që mundësitë e shpalljes fitues janë të pakta.
Si duhet të veprojë Elsa  për të vendosur preferencat?
Mendojmë se Elsa  e vendos programin e studimit Farmaci si preferencë të parë dhe me këto rezultate nuk fiton. Ka dhe 9 preferenca të tjera për të zgjedhur, që është mirë t’i plotësojë, pasi janë 9 mundësi që nuk duhet t’i humbë.

Cilat të zgjedhë?
Nga rezultatet e vitit të kaluar (tabela e fituesve të fundit), ajo shikon se me 5500 pikë janë në grupin e fituesve (i fundit ka më pak se 5500 pikë) kandidatët që kanë kërkuar të gjitha programet e studimit të Universitetit të Tiranës përveç programeve të studimit Mjekësi (i fundit me 5721.4 pikë), Stomatologji (i fundit me 5857.5 pikë), Farmaci (i fundit me 57993 pikë).
Atëherë Elsa  mund të rendisë në 9 preferencat e tjera cilëndo nga programet e studimit të Universitetit të Tiranës, përveç tre të mësipërmeve. Por edhe këtu duhet pak kujdes. Në të nëntë preferencat Elsa  renditet si fituese, por përcaktohet fituese në preferencën më të lartë, pra në preferencën e dytë. Nëse në këtë preferencë ka shënuar një program studimi që nuk e ka për zemër, këtë duhet ta mendojë mirë.

Shembulli 2

Redi ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme (03), me një notë mesatare të shkollës së mesme M = 6. Në të gjitha provimet e detyruara dhe me zgjedhje, rezultatet e tij janë rreth notës 6. Pasi bën llogaritjet, s, me koeficientet përkatës të tij, mendojmë se arrin në rreth 3200 pikë.

Si do ta këshillonim Redin të plotësonte preferencat e programeve të studimit?

Duke u orientuar nga tabela e pikëve të fituesit të fundit për çdo program studimi, Redi nuk duhet të vendosë në preferenca, programe studimi ku fituesi i fundit ka më shumë pikë se 3200.
Nëse ai plotëson të dhjetë preferencat me programet e studimit si: Juridik, Mjekësi, Stomatologji, Farmaci, Histori, Anglisht, Psikologji, Shkenca Sociale, Inxh. Informatike, Inxh. Elektronike, është e sigurt se Redi nuk fiton në asnjë nga këto preferenca, pra nuk fiton të drejtën për të studiuar në Universitetet Publike.

Po çfarë duhet të zgjedhë Redi?
Ai duhet të zgjedhë ato programe studimi, ku fituesi i fundit ka më pak se 3200 pikë. Duke zgjedhur në të dhjetë preferencat këto lloj programesh studimi, ai ka mundësi që të shpallet fitues në njërën prej tyre. Pra Redi jo vetëm duhet të marrë në konsideratë dëshirën e tij por dhe arritjet që ka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›