E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Notesi; Lojë e turpshme



Nuk e kisha parë moti një mik. Në bisedën tonë ra fjala edhe për një tekst të Mirko Kovaçit, shkrimtar i shquar dhe polemist i rrallë, të cilit Shtëpia botuese “Rilindja” ia kishte botuar dy romane e që bënin fjalë për një kohë makabre. Veprat qenë botuar para luftës. Gjatë bombardimeve të NATO-s e kishte bezdisur një kalemxhi serb, që e kishte qitur udha në Paris. Shiko ç’na bën bota për një racë të ultë?! Kovaçi kishte mbyllur telefonin dhe kishte vazhduar tekstin për të cilin më fliste miku im e të cilin e kishte lexuar në Paris. Seç kishte ndodhur pas atij rebelimi të Kovaçit, do shihet më vonë në shkrimet e tij: “Serbët nuk kanë haber për politikë, Qosiqi nuk paraqet përjashtim. Ai është një desident i rremë... Humbi rasti, që Dobrica Qosiq të gjykohet si kriminel lufte. Intelektualët janë mbi masën, në Serbi ata janë vetë masa”. Mendimet e cituara janë të shkoqitura nga një intervistë, që së shpejti do dalë dhe si libër, ku shkrimtari i nderuar gjykon mjerimin e intelektualëve serbë, pjesa dërmuese e të cilëve nuk na shikon ndryshe nga Garashanini, Cvijiq, Çubriloviq, Andriq etj. Zaten kalemxhia që na shikonte si baballarët e vet, e që ishte bërë shkas i librit të Kovaçit, nuk është i vetëm. Derisa bombat e NATO-s binin aty ku krimi ngrinte kokë, nëpër metropolet e ndryshme strehoheshin shumë të tillë, shpalleshin kundërshtarë të regjimit kriminel serb dhe krijonin hapësirë për të lëvizur, pra vazhdonin veprimtarinë e tyre, që më së pakti kishte lidhje me “protestën” e tyre. I tillë kishte qenë edhe ai kalemxhia bezdisës, që i kishte telefonuar Mirko Kovaçit. Shumica nga ta thoshin se ishin nga Kroacia, Bosnja e Sanxhaku. Të tillë kisha takuar gjithandej Evropës.

Është për t’u çuditur se nacionalizmi serb gjente hapësirë dhe përkrahës nga intelektualët e shkrimtarët e tipit të Petër Handkes: se shqiptarët janë racë e ulët dhe rrënues të paqes jo vetëm aty ku gjallërojnë; të tubuar rreth UÇK-ës torturonin popullsinë serbe gjithandej Kosovës, trillonin gjëra më bizare, vështirë gjeje ndonjë që gjerat i shikonte në një dritë tjetër. Mendoja shpesh ku gjithë ky vrer ndaj një populli, i cili çdo gjë e ka paguar me jetë. Në një librari të Frankfurtit ishte zënë në flagrancë një bursist tek fotokopjonte fotografi të shumta nga krimet serbe në Drenicë dhe përgatitej t’i dërgonte në adresa të caktuara si dëshmi masakrash nga terroristët shqiptarë ndaj popullsisë së “pambrojtur” serbe. Bursistit iu kishin rrëmbyer materialet dhe nuk di ç’kishte ndodhur me të. Sidoqoftë Gjermania pakëz ndryshe i shikonte gjërat nga ca vende që vazhdonin të merrnin në mbrojtje nacionalizmin serb dhe që e konsideronin Kosovën pjesë të Serbisë, ku forcat serbe duhet të kthehen në vendin e krimit se viktimës nuk bën t’i mundësohet e drejta e lëvizjes, këtë duhet ta gëzojnë vrasësit!

Nuk ishte hera e parë që simpatia e ca vendeve evropiane vete në drejtim të kundërt. Më kishte pyetur një herë njëri: Sa kilometra i ka Kosova? I kisha treguar dhe pa fije turpi më ishte përgjigjur: Nuk mund të humbasim gjithë atë hapësirë ruse për një pëllëmbë vend. Kishte ndodhur përgjakja e Çeçenisë dhe syri nuk i kishte levritur Evropës. Nuk mund të pajtohemi se kjo zonjë e rëndë, siç e quan një poet, nuk shikon çështjen e vet dhe shpesh i vjen era biznes njerëzor-territoresh. Nuk bën të na çudisë pse kaq shumë vrapohet pas koçabashëve serbë dhe harrohet se ç’kishte ndodhur në Kroaci, Bosnje e Kosovë. Kujtesa mund të sjellë të papritura. Ndryshe janë amerikanët. Borhesi thoshte: ata kanë kod të fortë etik.

Getoizimi është pritur. Në të kaluarën ca vende evropiane na i pren teshat shpesh; mbështetnin marshimet e përgjakura serbe. Luhet pra lojë e turpshme mes vrasësve dhe viktimave. Kufizimi i lirisë BE e turpëron. Të bëhet se ajo zgjohet pranë një oaze trishtuese ku do ndodhë të kruajë dhe kokën më vonë.

Bën ne të harrojmë ç’përjetuam?

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›