E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Ka humbur besimi për zgjedhje të lira. Kolegji nuk mund të japë drejtësi, pasi është politik

Z. Prifti, në Tiranë qytetarët akoma nuk e dinë se cili është kryetari i ri i bashkisë. Çfarë komenti keni?

Zgjedhjet për bashkinë e Tiranës prishen përfundimisht standardin e këtyre zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërhyrja e politikës, pas përfundimit të numërimit, ishte fatale për këto zgjedhje. Tashmë askush nuk beson se në Shqipëri mund të kemi ndonjëherë zgjedhje të lira, të paktën sa të jetë në pushtet kjo klasë politike. Tragjikomedia që luajti KQZ dhe Kolegji Zgjedhor kanë fundosur çdo shpresë për një Shqipëri normale, për një vend me pavarësi dhe drejtësi. Të gjitha institucionet e pavarura të këtij vendi, pas maskaradës së këtyre zgjedhjeve, janë të paragjykuara. Në fakt, askush që është i sinqertë nuk beson tek institucionet e pavarura në Shqipëri. KQZ, me një vendim të njëanshëm, prishi precedentët 20-vjeçarë, që votat në kutitë e gabuara ishin të pavlefshme. KQZ kishte trajnuar numëruesit para zgjedhjeve që këto vota ti trajtonin të pavlefshme. Kjo trajtohet dhe në raportin e ODIHR për zgjedhjet e 2007. Pas kësaj gafe të KQZ, Kolegji Zgjedhor legalizon këtë vendim, duke treguar se drejtësia e pavarur në këtë vend nuk ekziston.

Ju nuk mendoni se Kolegji sot mund të japë shanse për ribërje të zgjedhjeve?

Nuk kam asnjë shpresë që Kolegji mund të zbulojë drejtësinë, pasi ka dhënë kaq shumë padrejtësi. Në atë Kolegj kemi disa kamikazë politikë, të cilët veprojnë me urdhra politike. Forca e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit në këtë Kolegj është në minorancë. Të gjithë gjyqtarët e Kolegjit gjatë këtyre zgjedhjeve kanë dhënë vendime për pavlefshmëri, në raste identike apo më pak të bazuara sesa Tirana. Pavarësisht kësaj, kam bindjen se Kolegji Zgjedhor do të votojë në favor të interesave te mazhorancës, duke injoruar faktet e mëdha për pavlefshmëri të zgjedhje. Kolegji është politik, ska asnjë dyshim për këtë.

Pse ka ndodhur kjo ndrydhje e institucioneve të pavarura? Pse kaq pak optimizëm?

Më 21 prill të vitit 2008, parlamenti shqiptar me votat e PD dhe PS votoi për disa ndryshime kushtetuese, për të cilat ne sot paguajmë kostot. U asgjësua atëherë pavarësia e institucionit të Presidentit të Republikës dhe Gjyqësorit shqiptar. Presidenti nga konsensual dhe i pavarur, u kthye në partiak. Gjyqësori u kthye në varësi të partisë që kontrollon Presidentin, dhe kështu u kthyem në kohën e partisë shtet, që kontrollon çdo institucion të pavarur në vend. Këto fakte i dinë gjyqtarët, dhe ata në vend ti shërbejnë drejtësisë, të vërtetës dhe pavarësisë së tyre, i shërbejnë partisë që ka në dorë bukën e fëmijëve të tyre. Partia shtet ata i shkarkon në çdo kohë, ashtu siç mund dhe ti gradojë në çdo kohë, duke i bërë kryetar gjykatash, duke i transferuar në rrethe më të mira dhe duke i emëruar edhe në Gjykatën e Lartë. Partia shtet sot ka në dorë dhe kulaçin edhe kërbaçin.

Ju po jepni një tablo të zymtë

Unë po them të vërtetën. Pasi kam parë se çfarë ka ndodhur në këto zgjedhje me Tiranën, unë besoj plotësisht se jemi në diktaturë. Pas kësaj askush nuk ka shans të gjejë të drejtën e tij në këtë vend, nëse nuk ka fuqinë e mazhorancës qeverisëse. Kryetarit të opozitës iu vodhën zgjedhjet në mes të Tiranës, në sytë e gjithë shqiptarëve dhe botës. Kush beson se mund të mbrojë ndonjë të drejtë në Shqipëri pas kësaj?! Jemi në diktaturë. Frika sundon çdo institucion të pavarur në këtë vend. Frika sundon drejtësinë. Frika dhe pasuria sundon mendjet e njerëzve.

Çfarë shprese ka që kjo situatë të ndryshojë?

Unë mendoj se opozita duhet të luajë me fort rolin e saj. Duhet filluar menjëherë me një kërkesë për një Referendum popullor për të ndryshuar Kushtetutën, për sa i përket zgjedhjes së Presidentit nga populli, dhe njëkohësisht për zgjedhjen e gjyqtarëve nga populli. Kjo reformë kushtetuese duhet propozuar urgjent nga opozita dhe bërë nga populli me referendum. Nëse do të çlirojmë Presidentin e Republikës nga varësia partiake dhe do të bëjmë që gjyqtarët të përgjigjen para popullit dhe jo pushtetit që i emëron, atëherë them se do të kemi bërë një hap optimist dhe kuptimplotë për të ardhmen tonë. Duhet të vendosë populli, dhe jo shumicat e përkohshme parlamentare. Amerika ka këtë sistem dhe prandaj është sot vendi me drejtësinë më të fortë në botë. Berluskoni mori së fundi një mësim nga populli italian për sa i përket barazisë para ligjit të të gjithëve dhe energjisë bërthamore.

Opozita ka për detyrë të luftoje pa pushim. Referendumi është një mjet, të cilin populli mund ta përdorë për të korrigjuar gabimet e politikës. Opozita duhet të kërkojë çdo mjet për të rikthyer demokracinë dhe normalitetin në vend, ndryshe nuk është opozitë demokratike. Opozita i ka rreth votat në Kuvend që duhen për të kërkuar Referendum për çështje kushtetuese. Sigurisht që mazhoranca mund të japë konsensus për këto ndryshime kushtetuese, ashtu siç mund të bllokojë me çdo mjet dhënien e konsensusit dhe referendumin. Ligji ka disa pengesa administrative, që mund ta zgjasin procesin e referendumit, por nuk mund ta ndalojë atë. Unë mendoj se kjo është një rrugë që duhet provuar urgjentisht.

Dje ka pasur dy zhvillime të lidhura me ju. Hajri Elezi, që ju keni akuzuar për kontrabandën me naftën Virxhinia ka kaluar në arrest shtëpie, duke lënë burgun, për arsye shëndetësore. Kurse Ilir Meta, ka kërkuar që gjyqi ndaj tij të mos shpallet i pavlefshëm për procedurë. Çkoment keni?

Për kontrabandën e naftës Virxhinia unë nuk kam akuzuar Hajri Elezin, dhe as ndonjë emër tjetër. Nuk kam pas dijeni për emra konkretë. Unë kam akuzuar Tatimet, Doganat dhe Policinë e Shtetit që kanë lejuar dhe favorizuar këtë kontrabandë. Siç e keni parë deri më sot, asnjë zyrtar nuk është prekur, por janë arrestuar njerëz që kanë punuar për rrogë. Dhe asnjë zyrtar nuk do të preket derisa mbrojtësit e kontrabandës të kenë pushtet politik. Kontrabanda që kam denoncuar unë është vërtetuar, dhe këtu mbaron detyra ime.

Ndërsa për çështjen e gjyqit të Metës, unë mendoj se i takon atij dhe avokatëve të tij të zgjedhin strategjitë e tyre. Unë skam asnjë dëshirë të fus në burg Ilir Metën. Kisha dëshirë tu tregoja njerëzve se cili ishte ai, dhe besoj këtë e arrita. Sbesoj se ka shqiptar që e sheh atë sot në fytyrë dhe nuk mendon për bllokun e tij të zi, me kërkesa të pafundme për përfitime të pamerituara. E kam mbyll historinë me Metën, për aq kohë sa smë duhet të veproj për tu mbrojtur prej tij.

Meta ju ka akuzuar se keni regjistruar atë në mënyrë të jashtëligjshme. Si mendoni?

Unë smerrem me ligjshmërinë e atyre që deklaron Meta. Do të presim çfarë do të thotë gjykata. Nëse Meta këtë gjyq e sheh si betejë me mua, unë e deklaroj se do ta fitoj. Asgjë nuk më ndalon mua të jap prova në gjykatë për çdo aspekt të videos në fjalë. Dy ekspertë të huaj kanë vërtetuar që video është e paprekur dhe origjinale. Mbase Zoti ka rezervuar ndonjë mënyrë që zëri i videos të dalë i pastër, dhe të bjerë dhe pretendimi se pjesë të videos nuk dëgjohen. Unë do të luaj rolin tim për të sqaruar çdo gjë. Mbase gjendet ndonjë kopje e pastër e zërit të kësaj videoje.

Por ka njerëz ju fajësojnë ju për nxjerrjen e videos dhe thonë që miqtë dhe kolegët nuk trajtohen si trajtuat ju Metën

Ilir Metën kam menduar se e kisha shok kur isha në opozitë, kur luftonin bashkë, pa kursyer asgjë, për ta sjellë LSI-në në pushtet. Kur erdhëm në pushtet, Meta më ka sulmuar dhe luftuar çdo moment. Dy muaj pasi filloi qeveria PD-LSI, ai kërkoi fshehurazi tek Sali Berisha shkarkimi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›