Prifti: Klik Ekspo Group, ambasador i Shqipërisë për thithjen e investitorëve të huaj
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, dje vizitoi Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group. Gjatë gjithë vizitës në ambientet e panairit, ai u shoqërua nga Presidenti i shoqërisë Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj. I pyetur nga media mbi ndjesinë që i krijon ky panair, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, tha se “kam ardhur sot për të vizituar një nga panairet më të mëdha që zhvillohet ndonjëherë në Shqipëri nga shoqëria Klik Ekspo Group. Është një panair ku janë rreth 800 kompani që ekspozojnë produktet e tyre. Dua të falënderoj zotin Luan Muhametaj dhe Klik Ekspo Group për këtë punë të shkëlqyer që bën për të promovuar Shqipërinë. Është një ambasador i vërtetë për të tërhequr investitorët e huaj në Shqipëri, për të rritur shkëmbimet tregtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Është një partner shumë i mirë me qeverinë në misionin për të ndihmuar bizneset dhe forcuar lidhjet ekonomike me vendet rreth nesh. Kjo është një ditë e shënuar. Dua të uroj të gjitha bizneset dhe kompanitë që marrin pjesë në panair që të kenë suksese të tjera. Qeveria me shoqërinë Klik Ekspo Group ka projekte të tjera. Do të punojmë për të bërë një qendër të re panairesh në Shqipëri, sepse ju e dini që Pallati i Kongreseve nuk e ka këtë funksion. Me ndihmën e qeverisë, bizneseve, partnerëve të huaj dhe shoqatave të biznesit do të ndërtojmë një qendër tërësisht të re panairesh për Shqipërinë”. Ndërsa në vijim, ministri iu përgjigj interesit të medias lidhur me zhvillimet aktuale ekonomike në Shqipëri, veçanërisht mbi tregun e energjisë elektrike. Një ditë më parë, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në përshëndetjen e tij drejtuar Forumit të Tretë Ekonomik, ndër të tjera, tha se “është një nder për mua të marrë pjesë në këtë forum të rëndësishëm. Kjo, falë edhe një organizimi me një cilësi shumë të lartë dhe ambienti i ngrohtë për biznesin i krijuar në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës nga shoqëria Klik Ekspo Group”. Ministri Prifti deklaroi se “biznesi grek në Shqipëri konsiderohet nga qeveria shqiptare si shumë i rëndësishëm. Aktualisht, biznesi grek përfaqëson 50% të investimeve të huaja në Shqipëri. Biznesi grek operon në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare në telefoni, në sektorin bankar, burimet e energjisë, industri etj. Pavarësisht ndikimit të krizës, volumi tregtar Shqipëri-Greqi ka njohur zhvillime të mëdha. Të njëjtin impenjim e ndikim në ekonominë e Shqipërisë ka edhe ndihma e shtetit grek. Shqipëria ka marrë ndihma të përhershme nga Greqia për të përmirësuar jetesën e qytetarëve shqiptarë. Aktualisht, për përmirësimin e infrastrukturës është duke investuar në rrugën Sarandë-Konispol. Gjithashtu, i njëjti suport reflektohet edhe në projekte të tjera të rëndësishme për ekonominë shqiptare”. Në vijim, ministri Prifti bëri një panoramë të reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës theksoi uljen e vazhdueshme të taksave ndaj biznesit, duke i konsideruar më të ulëtat në Evropë. “Ulja e taksave do të vazhdojë nga qeveria shqiptare, pavarësisht kostos që ka në buxhet. Vitin e ardhshëm, - tha ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, - qeveria ka planifikuar të heqë TVSH-në për shërbimet shëndetësore dhe arsimin. Vitin e ardhshëm në shërbim të përmirësimit të klimës së biznesit do të ngrihet qendra ose sporteli i vetëm për marrjen e licencave për investimet në energjetikë.
Gjithashtu do të ndërtohet dhe një sportel i vetëm për licencat në sektorin minerar”.