“Tirana eliminohet, Flamurtari, Vllaznia e Dinamo kualifikohen”
Leonard Karaj
Tirana do të dështojë që në ndeshjen e parë në Kupat e Evropës. Ndërsa Vllaznia, Dinamo dhe Flamurtari kanë shumë herë më shumë shanse kualifikimi për në turin tjetër. Deklarata vjen nga katër “dekanë” të trajningut shqiptar, Astrit Hafizi, Sulejman Starova, Agim Canaj dhe Sulejman Demollari. Sipas tyre bardheblutë do të kenë pisk me norvegjezët e Stabek. Disi më i “lëshuar” drejt Tiranës është Astrit Hafizi i cili edhe pse meritat e kundërshtarit beson disi më shumë se skuadra që drejtohet tashmë nga kroati Lonçareviç mund të provojë që të kualifikohet.
Tirana
“Ka shanse për të kaluar për në turin tjetër. Kjo për faktin se përballë ka një skuadër së cilës i mungon eksperienca. Stabek është një ekip relativisht i ri pa përvojën e duhur ndërsa Tirana jo vetëm që ka lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar. Në rast se do të vija bast, do të isha për një Tiranë në turin tjetër”, ka thënë Hafizi. Ndërsa krejt tjetër mendojë Demollari, Canaj dhe Starova. Madje ky i fundit është edhe më i prerë teksa pohon i bindur se bardheblutë do të eliminohen nga Stabek. “Tirana e ka shumë të vështirë për të kaluar turin, këtë gjë e them me bindje. Stabek është një skuadër me futbollistë shumë herë më të mirë se ekipi bardheblu, në aktivitet të plotë dhe natyrisht në formë të mirë sportive. Ndaj besoj se Tirana nuk do t’ia arrijë të kalojë turin”, ka thënë Starova, dy herë në drejtim të skuadrës së Tiranës në karrierën e tij.
Të tjerët
Për Dinamon, Vllazninë dhe Flamurtarin specialistët mendojnë se do ta kenë më të lehtë pasi si Sligo dhe Lahti e Motheruell e Llanelli janë skuadra relativisht më të dobëta se ekipet shqiptare. Madje Sulejman Demollari beson se nëse shkodranët dhe dinamovitët tregohen më të saktë mund të sigurojnë kualifikimin që në ndeshjen e parë. “Ndaj irlandezëve të Sligo dhe finlandezëve të Lahtit mendoj se ekipet tona po të tregohen më të qarta dhe kujdesshme në lojën e tyre mund ta mbyllin kualifikimin që në ndeshjen e parë”. Ndërsa njëzëri pohohet se Flamurtari do ta ketë më lehtë se të gjitha skuadrat e tjera shqiptare.
Champions League 2009/10
Turi i Dytë
Ndeshjet e para: 14 - 15 korrik
Ndeshjet e kthimit: 21 - 22 korrik
1. Tirana (SHQI) - Stabaek (NOR)
2009/10 UEFA Europa League
Turi i Parë
Ndeshjet e para: 2 korrik
Ndeshjet e kthimit: 9 korrik
2. FC Lahti (FIN) - Dinamo Tirana (SHQI)
6. Sligo Rovers (IRL) - Vllaznia (SHQI)
Turi i Dytë
Ndeshjet e para: 16 korrik
Ndeshjet e kthimit: 23 korrik
34. Flamurtari (SHQI) - Fitues i çiftit 17