Radhët për pasaportat, humb jetën 43-vjeçari

FIER/ Merko Beshaj, nga fshati Gorishovë, ka vdekur pak pasi është larguar nga zyra e shpërndarjes së pasaportave
FIER - Radhët e gjata të pasaportave biometrike kanë shkaktuar edhe viktimën e tyre të parë. Një 43-vjeçar ishte nisur për tek zyra e shpërndarjes së pasaportave biometrike për të marrë informacion lidhur me pasaportën e tij. Por radhët e gjata kanë bërë që ai të largohej prej andej për t'u kthyer më vonë.
Por gjatë rrugës ai ka pasur dhimbje të mëdha të kokës dhe më pas ka rënë pa ndjenja. 43-vjeçari Merko Beshaj është dërguar nga dy bojaxhinj që ndodheshin aty pranë për në spitalin e Fierit, por ka gjetur vdekjen pa pasur asnjë mundësi shpëtimi.
Burime nga spitali bëjnë të ditur se në momentin kur ka mbërritur në të, 43-vjeçari ishte në gjendje të rëndë dhe me tension 30. sipas mjekëve, ai ka ndërruar jetë për shkak të një hemorragjie në kokë, gjë që i ka dhënë edhe goditjen e fundit. Beshaj, baba i tre fëmijëve, është marë në morg nga të afërmit e tij gjatë pasdites, teksa është çuar në fshatin e tij të lindjes në Gorishovë, Cakran.
Radhët për të marrë një pasaportë biometrike kanë qenë problematike jo vetëm në qytetin e Fierit, por edhe në qytetet e tjera. Parregullsia në shpërndarjen e tyre ka bërë që hera-herës, sidomos emigrantët të mbajnë radhë prej 48 orësh në mënyrë që të mund të realizojnë qëllimin për sigurimin e pasaportës. Nuk janë të pakta rastet kur njerëzit e kanë gdhirë në pritje të shpërndarjes së pasaportave.
Në qytetin myzeqar emigrantët janë hedhur edhe në protestë, teksa kanë akuzuar që jo rrallë bëheshin edhe allishverishe me marrjen e pasaportave, ndërsa atyre u duhej që të ktheheshin në vendet ku punonin, pasi mund t'u digjej vendi i punës, teksa fëmijët e tyre kishin probleme me shkollat.
Gjithsesi, problemet kanë vijuar për një kohë të gjatë, teksa në rastin e djeshëm, punonjës të zyrës së shpërndarjes së pasaportave kanë mohuar ta kenë parë 43-vjeçarin t'u afrohej ambienteve ku ata punojnë. Ndërkohë, vdekja e 43-vjeçarit shënon edhe një nga rastet më të veçanta të humbjes së jetës në përpjekje për të marrë një pasaportë.