E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: PS katër vjet në opozitë që të rinovohet

"Për këto arsye u deklarova i pari për të qënë pjesë e koalicionit me PD-në”, shpjegoi Prifti vendimin e marrë prej tij.

LSI, një forcë e majtë politike e krijuar nga Ilir Meta rreth 5 vjet më parë pas largimit nga Partia Socialiste, sipas rezultateve paraprake të KQZ-së ka fituar 4 mandate në zgjedhjet e 28 qershorit, dhe ka shpallur zyrtarisht koalicionin me PD-në për bashkëqeverisje në 4 vitet e ardhshme.

"Edi Ramës iu prish mendja se do ta fitonte vetë pushtetin, duke prishur kushtetutën, duke ndryshuar sistemin zgjedhor, mendoi që do të kishte një marrëveshje me Berishën, për ta bërë edhe njëherë dypolare politikën shqiptare, por në fakt rezultatin e dimë të gjithë tani”, tha Prifti, partia e të cilit dhe PS kanë pasur përplasje pas ndryshimeve në Kushtetutë në prill të vitit të kaluar.

Duke u ndalur tek koalicioni me PD-në, Prifti tha se “ky koalicion ka marrë emrin koalicioni i integrimit, pasi do të ketë në themel të tij të gjitha reformat që duhen për integrimin europian të Shqipërisë. Në fakt reformat dihen, është një matricë e aprovuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian, gjëra të cilat ne duhet t'i zbatojmë hap pas hapi”.

Sipas tij, "duke filluar nga viti i parë do të realizojmë liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, do të kemi punësim për 100 mijë shqiptarë, rrugë të reja, etj, pra kjo qeverisje do t'i tregojë shqiptarëve se paska qënë i nevojshëm një pajtim mes të majtës dhe të djathtës”.

Dritan Prifti u ndal edhe tek takimi mes Kreut të LSI-së, Ilir Meta, dhe ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, duke pohuar se "jam informuar për takimin, por jo për detajet e tij", ndërsa shtoi se "marrëdhëniet mes tyre janë zbutur sidomos pas takimit që zhvilluan një javë para zgjedhjeve të 28 qershorit”.

I pyetur nëse Fatos Nano është pjesë e marrëveshjes mes PD-LSI, Prifti u shpreh se "Fatos Nano nuk është as në PD, as në LSI, por është në PS, kështu që njëherë për njëherë nuk është pjesë e këtij koalicioni”.

Duke folur për negociatat për krijimin e qeverisë së ardhshme, Prifti pohoi se "ato do të fillojnë në fund të muajit gusht, gjërat kryesore janë bërë, nuk do të ketë shumë kohë për të vazhduar negociatat e mëtejshme dhe pikat më delikate janë pothuajse të zgjidhura me zotin Berisha dhe me përfaqësuesit e tij”.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›